Në ndeshjen e sotme ndaj Egnatias, të fituar thellë nga Vllaznia U-21 në shifrat 9-3, Flori Spahija ka qenë njëri ndër protagonistët e suksesit kuqeblu, teksa arriti për të shënuar edhe golin e parë të kësaj ndeshje. Si rrjedhojë, mbrojtësi shkodran ka dhënë një intervistë për “Shkodra Sport” pas përfundimit të ndeshjes, ku ka folur për fitoren e sotshme, por edhe për titullin kampion të fituar tashmë nga ky ekip.

Spahija u shpreh se fitorja e sotme me nëntë gola ishte jashtë çdo lloj parashikimi, ndërsa theksoi faktin se motivimi që ka bërë trajneri Elvis Plori ka qenë faktor kryesor i këtij suksesi. Ndërkohë, i pyetur për të ardhmen, Spahija tha se ndoshta në fund të sezonit mund të mendojë për ndonjë lëvizje, pasi realisht ai ka pritur më shumë hapësira me ekipin e parë. Për më tepër, mund të lexoni intervistën e tij të mëposhtme për gazetarin e “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani.


-Flori, fitore e thellë sot ndaj Egnatias, e pritshme apo jo?

Të them të drejtën prisnim një fitore, por me nëntë gola sikur na doli pak jashtë parashikimeve, duke parë edhe situatën që e kishim siguruar titullin kampion një javë përpara.


-Kemi parë një Vllazni që ka qenë dominuese pothuajse gjatë gjithë këtij kampionati, çfarë ka ndikuar për pozitivisht?

Në fakt, grupi i futbollistëve është shumë i mirë. Poashtu, edhe stërvitja dhe motivimi që i bën trajneri Elvis Plori skuadrës kanë qenë shumë të rëndësishme. Këto besoj se janë ato më kryesoret.


-Çfarë ka qenë e veçanta e Vllaznisë së këtij sezoni që arriti të shpallej kampione për herë të parë në këtë grupmoshë?

Në fakt, ka qenë fryma e grupit, ku impenjimi për çdo ndeshje ka qenë maksimal. Kjo besoj se ka mbizotëruar pothuajse në të gjitha ndeshjet.


-Besoj se ka qenë një punë dhe një sakrificë e madhe gjatë gjithë këtij sezoni, jo vetëm në aspektin personal, por në tërësi e ekipit apo jo? Si e keni parë ju si futbollist një aspekt dhe një gjë të tillë?

Në fakt, për mua ka qenë pak më e vështirë, sepse duke qenë pjesë e ekipit të parë, nuk jam stërvitur sa duhet me pjesën tjetër të skuadrës së U-21. Megjithatë, dëshira e madhe dhe sakrifica ta bëjnë më të lehtë për të kaluar çdo vështirësi.


-Ndërkohë, në aspektin personal i kënaqur nga ajo që keni dhënë këtë sezon?

Për sa i përket aktivizimit me ekipin e U-21, jam shumë i kënaqur, ndërsa me ekipin e parë kam pritur më shumë hapësirë të them të drejtën.


-Si do të shkojë e ardhmja juaj ose më saktë cila do të jetë ajo?

Të mbarojmë edhe tre ndeshjet e mbetura për të realizuar pjesëmarrjen në Kupat e Europës, pastaj të mendojmë për të tjerat. Të presim dhe të shohim.
Maringlen ZHIVANI