Nuk ka pushim për skuadrat e “Abissnet Superiore” në këtë fund sezoni, që do të luajnë çdo 4 ditë në këto 3 javë të fundit të kampionatit. Si rrallëherë më parë, akoma nuk është dhënë asnjë verdikt në Superiore dhe ka garë të hapur si për titullin, Europën dhe mbijetesën.

Të gjitha skuadrat luajnë për objektivat e tyre dhe të gjitha sfidat premtojnë spektakël. Java e 34-t e kampionatit do të luhet të dielën e 21 majit dhe të gjitha takimet do të zhvillohen njëkohësisht në orën 17:00.

Kryesuesit e Tiranës i pret një ndeshje e fortë në Laç, aty ku vendasit kërkojnë pikë që t’i afrohen zonës europiane. Superndeshja e javës do të vendosë përballë Partizanin dhe Vllazninë. “Demat” nuk janë dorëzuar në luftën për titullin kampion, ndonëse pas derbit diferenca me kryesuesit e Tiranës mbetet 2 pikë, ndërsa shkodranët kërkojnë të ruajnë me fanatizëm vendin e katërt, duke lakmuar edhe vendin e tretë në renditje.

Bylis-Kukësi është një përballje direkte për mbijetesë. Pas fitores ndaj Erzenit, mallkastriotët kanë filluar të besojnë te shpëtimi, ndërsa verilindoret ndonëse kanë 40 pikë, rrezikojnë sërish rënien nga kategoria.

Teuta sfidon Kastriotin në një sfidë vendimtare për të dyja skuadrat. Durrsakët synojnë Europën, ndërsa krutanët kanë nevojë jetike për pikë që të mbijetojnë. Egnatia kërkon të blindojë vendin e tretë, duke synuar fitoren përballë Erzenit. Shijakasit kanë zbritur shumë në renditje dhe tashmë rrezikojnë më shumë se kurrë rënien në kategorinë inferiore.