Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, ka menduar një ndryshim thuajse total të skuadrës për ndeshjen ndaj Islandës në krahasim me atë që u pa në fushën e lojës ndaj Francës.

Ndryshime që përveç portës, prekin çdo repart tjetër të kuqezinjve, duke bërë një revolucion të mirëfilltë me emra, por edhe me sjelljen e skuadrës në fushë, pasi do të kërkohet që të luhet në gjysmëfushën islandeze.

Në mbrojtje Mavraj do t’i lërë vendin Dermakut, në atë që është ndryshimi i vetëm në treshen e prapavijës për këtë duel. Ndërkohë, mesfusha do të ndryshojë shumë, duke mbajtur në rreshtim vetëm Hysajn e Baren nga sfida e të shtunës.

Memushaj është i sigurt për një vend në formacion pasi ka kaluar problemet fizike, ndërsa Gjasula dhe Xhaka janë në balotazh deri në fund për një fanellë titullari. Lenjani kthehet përsëri në krahun e majtë, duke qenë një forcë ofensive më shumë për skuadrën.

Sulmi do të ndryshojë plotësisht. Dyshja Balaj-Uzuni këtë herë e nis nga stoli, duke bërë vend për Çikalleshin dhe Manajn. Reja ka shumë shpresa te ky i fundit dhe dje për disa minuta është ndalur i vetëm me sulmuesin për t’i shpjeguar lëvizjet që duhej të bënte në fushë e hapësirat që duhej të kërkonte par portës kundërshtare. /vipsport/