Mund të kritikohet për lojën ofensive, por sa i përket asaj mbrojtëse, pakkush është si Elseid Hysaj në Serinë A. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka lënë shenjë që në javën e parë të kampionatit, pasi është menjëherë një nga liderët sa i përket lojës mbrojtëse në futbollin italian në këtë sezon.

Hysaj rezulton deri tani të jetë futbollisti që ka rikuperuar më shumë topa, duke ndërprerë aksionet e kundërshtarëve në ndeshjet e para të sezonit në Itali.

Në takimin kundër Lacios, ai ishte futbollisti i cili u tregua më efikas duke ndalur kundërshtarin, duke ndërprerë lojën e futbollistëve që kishte përballë në 13 raste, një statistikë shumë domethënëse, duke llogaritur se është një mbrojtës krahu.

Ndërkohë, Hysaj rezulton ndër lojtarët që ka pasur më shumë kontakte me topin në këtë ndeshje për Napolin. Mario Rui ka prekur 118 herë topin, Kulibali 110 dhe Hysaj 105, duke qenë vazhdimisht aktiv në lojën ofensivë të skuadrës së tij, si në momentin kur nga lëvizjet e mbrojtësit lindi goli i Insinje.

Jo keq për një lojtar të cilin pak javë më parë të gjithë mendonin se Ançeloti do ta largonte nga radhët e skuadrës napolitane.