Edhe pse, Franko Burraj figuron ndër atletët më të spikatur të përfaqësueses së Shqipërisë në atletikë, për shkodranin vazhdon të ketë një padrejtësi. Ashtu si edhe në ndonjë garë tjetër ndërkombëtare të nivelit të lartë, emri i trajnerit të tij, Bruno Rrotani nuk ka qenë i përfshirë në listën e delegacionist sportiv shqiptar për në Oran.
Në fakt, se çfarë peshe ka mungesa e një trajneri profesionist, që stërvit dy herë në ditë në 365-ditët e vitit një kampion dhe rekordmen, siç është rasti i Franko Burrajt, kjo nuk ka nevojë shumë për koment, sepse e dëshmojnë qartazi specialistët e sportit.
Këtu nuk bëhet fjalë për një sportist dosido, por për një kampion dhe rekordmen si Franko Burraj, që vetë specialistët dhe drejtuesit e atletikës shqiptare, e kanë cilësuar shkodranin si pjesë e treshes së artë të këtij sporti, së bashku me Luiza Gegën dhe Izmir Smajlajn, që fatkeqësisht në këtë garë për arsye dëmtimi, nuk ka konkurruar.
Megjithatë, kokëulur dhe i përshkruar në misionin që ka marrë përsipër, trajneri Bruno Rrotani nuk shfaqet reagues, siç mund të kishte ndodhur me ndonjë homolog të tij nga kryeqyteti, nëse do kishte pasur një fat të tillë. Megjithatë, natyrshëm që ndjehet jashtë mase krenar për arritjet e djaloshit shtatlartë shkodran, Franko Burraj.
Maringlen ZHIVANI