Ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë kanë dhuruar një surprizë. Një nga skuadrat që ndoshta nuk mendohej të kalonte në turin tjetër, ka përmbysur të gjithë parashikimet.

Bëhet fjalë për “Juban Danjen”. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në kompleksin “Zmijani”, ajo ka fituar me rezultatin 2-1 ndaj Apolonisë, një nga ekipet më të mira të vendit këto dy-tre vitet e fundit.

Vajzat fierake konsideroheshin favorite për kalimin e turit por nuk ka ndodhur kështu. Ndonëse ata kanë shënuar të parat, avantazhi i tyre ka zgjatur vetëm pak minuta sepse Joana Thomai ka barazuar për “Juban Danjen”.

Ndërkohë po në pjesën e parë do të vinte edhe goli i dytë për vajzat shkodrane shënuar nga Paula Jaku dhe ky rezultat nuk do të ndryshonte më deri në fund.

Trajneri Kastriot Preka kësisoj në debutimin në krye të kësaj skuadre, e nis në mënyrën më të mirë të mundshme me një fitore me shumë vlera.

Formacioni i ndeshjes së sotme ka qenë ky: Elsaida Muçejani, Joana Thomaj, Sarafina Haxhari, Klaudia Rrotani(C), Ornela Lleshi, Samela Markaj (Xhovana Jaku), Fabiola Caka, Paula Jaku, Enxhi Selimi, Merva Gerbeti (Anxhela Krasniqi), Gjystina Rripaj (Xhoana Picaku).

“Juban Danja” në gjysmëfinale do të ndeshet me fituesin e çiftit Tirana AS- AAS, ndeshje kjo që do të luhet nesër.
© shkodrasport.com