E kanë provuar shumë fëmijë dhe të rinjë shkodranë dhe shqiptarë që të ndërmarrin hapa të rëndësishëm në karrierën e tyre për të kaluar nëpër klube të njohur të Europës, por pakkush ia ka dalë. Disa për mungesën e duhur të talentit, të tjerë për mungesë menaxherësh por edhe për probleme dokumentacioni.

Megjithatë ka edhe shembuj të mirë të cilët tregojnë se nëse gjërat bëhen si duhet dhe po ashtu, nëse një lojtar ka vërtetë talent, ai mund të ketë të ardhme edhe në Europë. Dhe shembulli më i mirë për këtë është Gabriel Kulla, lojtari i cili para disa muajsh ishte pjesë e Akademisë “Djelmnia shkodrane” ndërsa tani e sheh veten në futbollin italian.

I datëlindjes 20.02.2008 që prej disa muajsh ky futbollist është bërë pjesë e Akademisë së Bolonjës. Kulla ka kaluar me sukses të gjitha testimet dhe drejtuesit e kësaj Akademie janë bindur menjëherë për vlerat dhe aftësitë e tij dhe për këtë arsye, kanë shpejtuar ta bëjnë pjesë të tyren.

Kulla ka luajtur në Shkodër me ekipin “Djelmnia shkodrane” ku natyrisht që ka spikatur me performancën dhe golat e shumë që ka shënuar. Ndërkohë gjatë muajit korrik të vitit të kaluar ai mori një vlerësim shumë të rëndësishëm gjatë pjesmarrjes në turneun “Galliani Cup” të zhvilluar në Hungari ku u vlerësua me kupën e lojtarit më të mirë të grupmoshës së tij.

Të gjithë këto vlerësime dhe kjo ecuri e mirë e tij, ka bërë që presidenti i shoqatës “Djelmnia shkodrane” Benardin Kulla të mos hezitojë ta promovojë në futbollin italian dhe menjëherë Akademi të njohur shfaqën interes për të, por më e shpejta është treguar Bolonja që tashmë e ka pjestar të saj.

Dhe në fakt Gabrieli nuk po i zhgënjen. Në të gjitha ndeshjet që ai zhvillon me ekipin U13 spikat me lojën, performancën dhe golat e tij.

Ky është shembulli më i mirë sesi lojtarët me të ardhme mund të kalojnë menjëherë nga Shkodra edhe në futbollin italian, por kuptohet duke patur mbështetje dhe menaxhim të mirë.
© shkodrasport.com