Koro.navirusi tanimë ka mbërritur në Shqipëri, teksa Qeveria shqiptare dhe ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar dy rastet e para. Këtë mëngjes, kryeministri Edi Rama theksoi se do të pezullohen të gjitha aktivitetet arsimore, kulturore dhe sportive.

Në lidhje me këtë situatë dhe zhvillimin e mëtejshëm të ndeshjeve të futbollit, newsport.al kontaktoi me Lysien Nurishmin, shefin e Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Zoti Nurishmi pranoi se situata nuk është e qetë, teksa shtoi se janë duke pritur shkresën zyrtare për të marrë më pas një vendim. Gjithçka mund t’i ngjajë Italisë, me ndeshjet që po zhvillohen pa tifozë.

“Jemi duke pritur shkresën zyrtare nga Qeveria dhe më pas do të vendosim si institucion. Ekziston mundësia që ndeshjet e futbollit të luhen me dyer të mbyllura, njëjtë siç po ndodh në Itali. Në varësi të situatës do të marrim edhe ne vendimet tona. Ende nuk ka asgjë konkrete, por do të shohim më të mirën.

Jemi duke pritur konkretisht se çfarë vendimi do të marrë Qeveria, që siç e dini në mbledhjen e fundit ka pezulluar aktivitetet kryesore në vend”, tha mes të tjerash Nurishmi. Kështu, sipas Shefit të Garave në FSHF, aktiviteti i futbollit edhe mund të pezullohet ose të zhvillohet me dyer të mbyllura./newsport/