Eksperienca e Dushan Vlahoviçit te Juventusi ka lënë shumë për të dëshiruar, pavarësisht një starti me shumë zhurmë, ku shënoi 4 gola në 5 ndeshje. I afruar si një “makineri golash” nga bardhezinjtë, lojtari serb është shfaqur rrallëherë si i tillë, ndonëse bëri një start premtues, duke premtuar sidomos vazhdimësi në fushë.

Por për të kanë nisur të shfaqin interes skuadra të njohura, ndaj edhe Juventusi po e mendon seriozisht shitjen e tij. Sipas së përditshmes italiane, “La Repubblica”, Arsenali është emri kryesor që është gati të kthehet përsëri në kërkim të lojtarit, i cili i tha “jo” vitin e kaluar pasi zgjodhi bardhezinjtë.

Por fakti që tashmë “Topçinjtë” janë në kryesimin e kampionatit anglez mund ta bëjë të ndryshojë mendje.

Edhe Bajerni i Mynihut e sheh me shumë interes lojtarin, pasi kërkon një zëvendësues të Levandovskit, me Kejn si prioritet e më pas serbin në vendin e dytë.

Juventusi nuk e cilëson më si të paprekshëm Vlahoviçin, që po shfaq shumë probleme me dëmtimet, por në të njëjtën kohë kjo nuk do të thotë se kërkon ta falë atë. Përkundrazi, pret ofertën e duhur që ta lërë të largohet.

Të njëjtat burime saktësojnë se klubi bardhezi e vlerëson 110 milionë euro kartonin e futbollistit që e bleu për 80 milionë euro nga Fiorentina në janarin e vitit 2022.