Sot ndaj Sampdorias, Milani kërkon suksesin e radhës pas fitoreve bindëse ndaj Spalit dhe Ludogoretstit në Ligën e Europës.

Populli kuqezi u zgjua dje me lajmin e interesimit të një klubi të huaj për Xhenaro Gatuzon, me teknikun që nga ana e tij sheh vetëm kuqezi.

Nuk ka asnjë rrezik, por krerët janë vënë në lëvizje për të përshpejtuar kohën e rinovimit me trajnerin.

Në konferencë për shtyp, në prag të takimit të sotëm, në orën 20:45, Rino Gatuzo foli për sfidën në fjalë, por edhe për tematika të tjera lidhur me skuadrën dhe të ardhmen e tij.

“San Siro” – Konferenca e Gatuzos nisi me një thirrje për popullin kuqezi për të mbushur shkallët e stadiumit.

Skuadra ka nevojë për ndihmë, pasi momenti është delikat, pavarësisht rezultateve pozitive, me trajnerin që u shpreh:

“Paraqitjet dhe rezultatet janë një detyrim ndaj tifozëve. Atyre u kërkoj ndihmë, në mënyrë që të paraqiten sa më të shumtë në numër nesër (sot) në “San Siro”.

Jemi të gjithë pjesë e skuadrës ndaj ne bëjmë punën tonë në fushë, tifozët në tribuna”.

Grupi – Ndihma dhe sakrifica për njëri-tjetrin është lajtmotivi i fjalës së trajnerit, i cili ndër të tjera theksoi: “Secili ndihmon shokun në çdo mënyrë. Më pëlqen shpirti i sakrificës dhe, nëse skuadra rri e ngjeshur në pak metra, është meritë e të gjithëve, sidomos sulmuesve që mbrojnë të parët.

Reparti i tërhequr meriton gjithashtu komplimente, po luajnë mirë dhe merita është e të gjithëve. Bonuçi është një shembull i kësaj skuadre dhe është një kampion, të cilin e kanë kritikuar ndoshta më shumë sesa meritonte”.

Kutrone është njeriu i momentit, me Gatuzon që ka këshillën e duhur dhe nuk ia kursen në publik dukë i thënë se: “Të gjejë një të dashur bukuroshe, që të qëndrojë në shtëpi e të mendojë për Milanin, si dhe për të bërë dashuri…”.

Pa kursim – Milani, mbi gjithçka dhe mbi këdo, pa u kursyer kurrë. Është kjo kërkesa e Gatuzos në prag të sfidës së radhës.

Sampdoria është një rival i vështirë dhe kuqezinjtë e pësuan keqazi në fazën e parë. “Me Ludogoretsin luajtëm me frenat e dorës ngritur dhe nuk më pëlqeu.

Ndaj Sampdorias nuk do ta toleroj përsëri këtë qëndrim dhe djemtë i kam paralajmëruar. Ata janë një kundërshtar i vështirë dhe drejtohen nga një trajner, të cilin e vlerësoj shumë, madje aq shumë sa i kam vjedhur disa skema”, deklaroi Gatuzo.

Merkato – Vetëm dy muaj te Milani kanë shtuar interesin e klube të huaja për Xhenaro Gatuzon. I pyetur mbi këto zëra, Rino preu shkurt:

“Për mua ekziston vetëm Milani. Kur u largova si futbollist, ishte vendimi im, pasi Galiani bëri gjithçka për të më bindur
që të qëndroja në stafin e Alegrit.

Sot shpresoj të qëndroj sa më gjatë dhe përfitoj për të falënderuar drejtorin Mirabeli dhe administratorin Fasone që vendosën të më besonin, pavarësisht se për të më bindur për ekipin e të rinjve më telefononin tetë herë në ditë për 3 javë radhazi.

Nuk më mungonte dëshira, por kisha dyshime mbi aftësitë e mia për t’u marrë maksimumin djemve. Sa për kontratën time të re, mund të pres pa problem deri më 31 gusht”.