Gentian Selmani me shumë mundësi do të luajë muajt e fundit në kategorinë e dytë turke, pasi në Turqi janë të sigurt se e ardhmja e tij është në elitën e futbollit në këtë vend.

Portieri shqiptar ka bindur me paraqitjet e tij te Menemenspor dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave të tjera të rëndësishme në futbollin turk, që janë gati të blejnë kartonin e tij sapo të mbarojë sezonin e parë në këtë kampionat.

Futbollisti shkëlqeu me klubin e qytetit të Izmirit në këtë sezon duke kaluar çdo pritshmëri ndaj tij. Duke parë një paraqitje të ish-futbollistit të Laçit që përputhej me parametrat e kërkuar, Menemenspor ktheu sytë menjëherë nga Superiorja dhe pasi afroi edhe Domgjonin ka piketuar lojtarë të tjerë të cilët synon t’i promovojë e më pas t’i shesë në klube të njohura.

Për Selmanin, interesimi është me të vërtetë i madh dhe mediat turke kanë treguar se Beshiktashi dhe Alaniaspor, skuadra të cilat renditen në vendet e larta të renditjes në Turqi kërkojnë lojtarin.

Për Selmanin do të ishte një hap shumë i rëndësishëm në karrierë, duke konfirmuar edhe një herë vlerat që ka gardiani i cili ishte një prej më të spikaturve në Superiore para se të largohej për këtë eksperiencë të parë jashtë vendit tonë. /vipsport/