“Klasikja” e futbollit shqiptar Vllaznia- Tirana ka marrë një vëmendje të madhe ditët e fundit në opinionin sportiv shqiptar. Do të përballen me njëra- tjetrën dy skuadrat më të vjetra në vend dhe njëkohësisht ato që aktualisht ndajnë vendin e parë dhe të dytë të renditjes së kampionatit.

Diferenca prej 6 pikësh në favor të bardhebluve kuptohet që do t’i motivojë edhe më shumë shkodranët për ta fituar me çdo kusht këtë ndeshje, por a mjafton vetëm dëshira? Gazeta “Shkodra Sport” ka hapur një rubrikë me gazetarët e njohur në vendin tonë, për të marrë prej tyre mendimet në lidhje me këtë takim se kush ka më shumë shanse për ta fituar atë.

I rradhës me të cilën ka biseduar gazetarja Marinela Matija ka qenë Gerti Çarçani, drejtuesi i emisionit “Skaner” në MCN TV. Ndër të tjera, ai është shprehur se Tirana nuk do ta humbasë këtë ndeshje e cila do të ketë brenda edhe penallti, ndërkohë që edhe Balaj do të shënojë golin e parë për Vllazninë. Për më shumë lexoni intervistën e gazetarit të njohur dhënë për “Shkodra Sport”:


– Gerti, jemi në pragndeshjen Tirana- Vllaznia, cilën skuadër e mendoni më favorite?

Një sfidë e tillë përherë ka patur favoritë të barabartë, për vetë specifikën, por këtë radhë Vllaznia mund të ketë një përqindje më të madhe në avantazh, jo vetëm për fushën, por duket si një skuadër që në çdo moment oshilacionesh që ka patur, me Tiranën përherë ka gjetur recetën për të mos humbur, edhe pse Superkupa foli ndryshe.


– Është kjo një ndeshje që do tregojë pretendentin kryesor për titullin kampion?

Jo. Aspak. Ka edhe 48 pikë në lojë. Janë shumë pikë, shtuar edhe faktit që renditja është shumë e ngjeshur. Me një humbje mund të shkosh poshtë dhe me një fitore mund të arrish majat. Eshtë thjesht një ndeshje. E treta për nga radha me Tiranën. Eshtë më shumë se herët të mendosh që një sfidë e tillë do të ndajë titullin.


– Josa apo Shehi do fitojë këtë ndeshje?

Këtë ndeshje e përgatisin Josa dhe Shehi, por kurrsesi nuk e fitojnë ato. Natyrisht ka edhe sfida që spikat lëvizja e trajnerit në një moment të lojës, qoftë me ndërrime apo me ndryshim moduli, por mendoj që do të jetë si përherë një sfidë që do të vendoset nga episode. Josa dhe Shehi do hedhin në fushë ekipet për të mos humbur, por diferencën do e bëjë ajo skuadër që do të gabojë më pak.

– Balaj apo Hasani do vendosin për fatin e saj?

As Balaj e as Hasani, por skuadrat në grup. Mendoj që presioni te Balaj për të shkuar te goli e pengon më shumë. Ajo do të vijë natyrshëm, mbase dhe këtë ndeshje. Balaj është një stekë e fortë, dhe ndoshta ndoshta mund të rrijë ndeshje pa gola, porn ë sfida të tilla vendimtare mund të shënojë. Vetëm për aq duhet. Vllaznia nuk ka vetëm Balajn, dhe Tirana s’ka vetëm Hasanin. Janë shumë, që mund të godasin e ndëshkojnë.


– Avantazhet dhe disavantazhet për të dyja skuadrat?

Mungesa e Latifit është një bonus për Tiranën, por publiku është një minus për kryesuesit. Nëse nuk vijnë as këtë herë, kur i bie të vijnë në stadium më pas. Janë sfida që nuk mund të jenë “peng” i avantazheve apo disavantazheve.

– Do jetë vertet “klasike” edhe këtë herë në fushë dhe në tribuna ky takim?

Në tribuna ka qenë përherë. Janë dy klube me raporte të mira, dikur edhe me probleme tifozerie. Shkodranët duhet të jenë në stadium të djelën. Por, nëse fitojnë, fitojnë vetëm një ndeshje, dhe humbasin vetëm një. Titulli është shumë i gjatë. Deri në këto momente, skenografia më e bukur e tribunave mbetet Tirana-Partizani dhe një sfidë vitrinë për futbollin shqiptar. Një Tirana-Vllaznia mbetet sërish poshtë saj.


– Së fundi, një parashikim i juaji për këtë takim?

Parashikimi im? Tirana nuk humbet, ndeshja ka penallti, Balaj shënon dhe fituesi do jetë fituesi i vërtetë i sfidës.
Intervistoi: Marinela MATIJA