Edhe pse më herët janë zhvilluar disa aktivitete të rëndësishme, kombëtare dhe ndërkombëtare, parku sportiv, “Adriatic Tenis Park”, në Shkodër, ka hapur zyrtarisht fundjavën e kaluar mjediset moderne të tij.

Kompleksi më i ri sportiv “Adriatic Tennis Park”, që drejtohet nga presidenti Gëzim Galiqi, është një nga më të mëdhenjtë në rajon. Investim ky i realizuar nga një grup miqsh të sportit dhe më tej të lidhur ngushtë me pasionin e sportit të tenisit.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Galiqi u shpreh se dëshira për të luajtur tenis e nxiti atë për të sjellë në Shkodër një kompleks të tillë, ndërsa theksoi se gjatë gjithë kohës kanë qenë në përpjekje për të nxitur pushtetin lokal për të ndërtuar fusha tenisi, por nuk kanë patur asnjë ndihmë konkrete.

“Në fakt, tenisi ka një histori të gjatë në Shkodër. Foto të tenisit ka në fototekën Marubi. Janë në fund të viteve 1800, kur në Shkodër, Anglia u përfaqësua me Lordin Padget, janë fotot e afishuara tek Marubi. Për rastësi, afërsisht një shekull më vonë, një grup entuziastësh në fund të viteve ‘80 me Shpëtim Hoxhën, Ardian Krajën, Gon Hafizin, Sokol Hoxhën dhe unë e themeluam klubin e tenisit, duke improvizuar tek aneksi i stadiumit “Loro Boriçi” një fushë.

Pas viteve ’90, Shpëtim Hoxha ndërtoi edhe ekipin e vajzave të tenisit. Bërthama ishin motrat Ashta. Me kohë, dëshira për të luajtur tenis dhe më pas për ta trashëguar këtë sport tek fëmijet, na nxiti për të sjellë në Shkodër, një entuziast të tenisit Dino Mehmedoviç, që filloi stërvitjen tek kompleksi “Zmijani”.

Gjatë gjithë kësaj kohe, jemi përpjekur të nxisim pushtetin lokal, për të ndërtuar fusha, por nuk kemi patur një ndihmë konkrete. Derisa para dy vitesh një grup shokësh, u mblodhën midis tyre edhe unë. Blemë tokën dhe filluam ndërtimin e kompleksit.

Kompleksi është kompleksi më i madh në rajonin e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit te Zi. Konkretisht, janë 8 fusha tenisi, 6 hard-court betoni dhe dy të mbuluara dheu, së bashku me një kompleks multifunksional shërbimesh, ku hyjnë kafeteria, dhomat e zhveshjes, dushet, dhomat e studimit dhe relaksit për fëmijët dhe palestra.

Me fillimin e kompleksit, ne jemi aktualisht klubi më i madh me federime në Shqipëri. 60 fëmijë dhe 50 tenisierë veteranë, që stërviten rregullisht. Kapacitetet janë në rritje vazhdimisht.

Kemi lojtarë kampionë, që përfaqësojnë tenisin në rang ekipi Kombëtar, si Bajri dhe Dani. Po ashtu, edhe shumë kampionë të tjerë në grupmoshat 12, 14 dhe 16 vjeç.

Investimi është totalisht privat, por në vijueshmëri po nxisim pushtetin lokal dhe qëndror, që ta bëjmë pjesë të orëve të detyruara në shkolla sportin e tenisit. Ne i kemi ofruar çdo shkolle të qytetit orë falas, gjatë paraditeve në kompleksin tonë”,-mbylli prononcimin e tij, presidenti i kompleksit “Adriatic Tennis Park”, Gëzim Galiqi.
Maringlen ZHIVANI