Dita e sotme eshte e veçante per njeren prej shahisteve me te mira jo vetem te Vllaznise por edhe te Shqiperise, Ylvije Boriçin. Ajo feston 55 vjetorin e lindjes dhe me kete rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron asaj edhe 100 vite te tjera te lumtura!

Ajo ka fituar 4 tituj kampionë si individ, 5 të tjerë duke kontribuar për Vllazninë dhe po ashtu, edhe 2 Spartakiada Kombëtare. Në total bëhen 11 trofe të fituara gjatë karrierës së saj, duke qene keshtu sportistja më me shumë trofe në këtë sport sa i takon shahistëve shkodrane.

Ylvije Boriçi ka lindur në Shkodër më 24 dhjetor 1965. Shahun e ka pasion që në moshë të vogël dhe ndërkohë në shkollë të mesme merr pjesë edhe në kampionatin që zhvillohet në këtë qytet me nxënësit e këtyre shkollave dhe aty shpallet kampion.

Kjo gjë nuk mund t’i shpëtonte syrit të trajnerit Muhamet Gradeci, i cili insiston për të marrë tek ekipi i shahut të Vllaznisë. Në fillim nuk kishte dëshirë, por më pas i mbushet mendja. Dhe iu deshën vetëm pak muaj stërvitje që të shënonte emrin e saj edhe si kampione e Shqipërisë.

Vetëm pak muaj stërvitje dhe menjëherë suksesi i parë. Ende pa mbushur 18 vjeçe, ajo do të shpallej kampione e Shqipërisë për të rriturat.

Tashmë përgjegjësia e saj rritet. Në dy vitet e ardhshme është një kolege e saj tek Vllaznia- Albana Vuji që do të shpallej kampione. Për t’u rikthyer sërish tek sukseset e Ylvije Boriçit që do të shpallej kampione edhe në vitet 1986, 1987 dhe 1988. Po ashtu, jep një kontribut të rëndësishëm në shpalljen e Vllaznisë kampione si ekip në vitet 1983, 1986, 1987, 1989 dhe 1990. Po ashtu edhe në medaljet e arta të Vllaznisë në Spartakiadat Kombëtare më 1984 dhe 1989.

Pra në total, Ylvije Boriçi ka fituar plot 11 trofe (individuale dhe ekipore). Pa përmendur këtu edhe kupën “17 Nëntori” të zhvilluar me shahistet më të mira të vendit në vitin 1987. Më shumë se të gjitha shahistet e tjera shkodrane.

Sportin e shahut e vazhdoi deri në vitin 1994 ku e mbyll si nënkampione e vendit. Gjatë karrierës, ka marrë pjesë dy herë në evenimentin më të rëndësishëm botëror të këtij sporti, në Olimpiadat, pikërisht më 1990 në Novi Sad dhe më 1994 në Moskë.

Përveç këtyre dy aktiviteteve ndërkombëtare, ka marrë pjesë edhe në vitin 1993 në një turne zonal që u zhvillua në Greqi dhe po atë vit në Ballkaniadë në Ankara të Turqisë. Edhe një vit më pas sërish merr pjesë në turneun zonal të Greqisë dhe këtu gjithçka mbyllet për të me këtë sport.

“E kam patur kënaqësi dhe privilegj të isha pjesë e këtij ekipi. Jam shumë e lumtur për çfarë i kam dhënë shahut, Vllaznisë dhe Shkodrës, por në fakt kam marrë pak si shpërblim”- thotë mjeshtrja Boriçi. Themi mjeshtrja sepse e tillë është ajo, por ka një fakt shumë interesant. Sipas rregullit të para viteve ’90, në sportet individuale sapo merrje titullin e tretë kampion, të akordohej titulli “Mjeshtër Sport”.

E pyetur nëse e ka marrë këtë titull, Ylvija përgjigjet: “Më kanë thënë se e kam marrë, por në fakt asnjëherë nuk e kam parë me sy. Në librat e këtij sporti shkruhet që jam “Mjeshtre Sporti”, por unë këtë titull nuk e kam në shtëpi”- thotë ajo.

A është apo nuk është, kjo pak rëndësi ka sepse tashmë Ylvije Boriçi e ka merituar titullin “Mjeshtre” me 11 trofetë që ka fituar. Në fakt është nderuar edhe me medaljen “Naim Frashëri i Artë” në vitin 1989, ashtu si dhe me disa tituj të tjerë nga Federata, ndërkohë që ka qenë disa herë fituese në anketën e “10 sportistëve më të mirë të Vllaznisë”.

Vitin e kaluar u vleresua edhe si “Shahistja e shekullit” e SK Vllaznia nga Bashkia Shkoder dhe klubi Vllaznia me rastin e festimeve te 100 vjetorit te ketij klubi.
Gjergj KOLA