Takimi Apolonia-Vllaznia u gjykua nga arbitri Andi Koçi me ndihmësin të tij Fatmir Lamaj dhe Erind Burgu. Rastet për moviolë nuk munguan as në këtë ndeshje, ndonëse presioni nuk ishte i lartë nga skuadrat.

MINUTA 19 – Shkodranët pretendojnë për penallti, pasi sipas tyre topi i harkuar në zonë preket me dorë nga Sota. Por arbitri vijon lojën dhe nga pamjet televizive u duk se mbrojtësi e ka ndal topin me gjoks.

MINUTA 31- Vllaznia sulmon me Ardit Hoxhajn, i cili pasi fiton duelin me Agiaren hyn në zonë, ndërsa kapiteni i Apolonisë rrëzohet. Gjyqtari ndal aksionin premtues të shkodranëve, ku Hoxhaj dilte i vetëm me portierin, për faull. Por pamjet televizive treguan se në këtë rast gjyqtari ka gabuar, pasi kapiteni i Apolonisë gjatë rrëzimit nuk ka kontakt nga Hoxhaj, ndaj aksioni duhej vijuar.

MINUTA 54 – Shehi shënon, por goli anulohet, pasi më parë mbrojtësi shkodran kishte shkaktuar faull duke vënë duart mbi mbrojtësin. Vendim i drejtë i gjyqtarit.

MINUTA 56 – Rrepaj ndal në mënyrë të gabuar Ardit Hoxhaj duke ndalur me duar. Por Gjyqtari e fal duke mos i dhënë kartonin e verdhë, pasi do të ishte i dyti për mbrojtësin e Apolonisë.