Gjergj Stefa ishte i ftuar në “Supersport” ku foli për ndeshjen e Armando Brojës kundër Izraelit. Sulmuesi i Chelsea nuk arriti të shënonte në dy raste të pastra, të cilat i krijoi po vetë. Por në fund rezultati mbahet mend dhe sigurisht fakti që Shqipëria humbi mundësinë për të marrë vendin e parë në grup. Stefa kishte jo pak kritika për këtë lojtar mbi të cilin janë ngritur pritshmëri të mëdha.

“Një nga problemet më serioze të Shqipërisë tani për mua është Armando Broja. Është një lojtar 20-vjeç që ne kemi ngritur pritshmëri jo reale mbi të, që është rezervë e Chelsea.

Ne themi që ta bazojmë lojën te individi, dakort, por kur ky individi nuk është bërë akoma? I referohem Brojës këtu, ka zero gola të shënuara te Chelsea dhe me ne ka shënuar vetëm 1 gol në Nationals League, me penallti. Unë mendoj se ky lojtar po jeton me famën e dy golave të Hungarisë.

E justifikoj egoizmin e tij, kur duhet të pasojë, nuk e bën. Kjo vlen kur ne fitojmë, por ne humbim me këto egoizma të tij, atëherë unë kërkoj llogari se përse ndodhi kjo. Si kritikoj Hysajn që gaboi në mbrojtje, kritikoj edhe atë që gaboi në sulm. Përse të mos e thëm? Ndoshta titulli më i mirë për këtë ndeshje të Brojës është: “Nuk i bihet gjithmonë murit me kokë”, tha Stefa.