Në këto ditë të vështira, një gjest shumë domethënës vjen nga Shkodra nga fëmijët e ekipit “Bashkimi” dhe trajneri i tyre Ervin Alushi. Ata pak kohë më parë kishin ngritur një “arkë kursimi” ku secili prej tyre kontribuonte me aq sa mundte dhe pas disa kohësh, me këtë shumë ishte planifikuar të organizohej një aktivitet sportiv.
Por, ndërkohë, me mirëkuptimin e të gjithë pjestarëve të ekipit të cilët janë pyetur përmes telefonave, është rënë dakord dhe vendosur që arka e kursimit të hapej dhe me lekët e mbledhura do të bliheshin ushqime të cilat do të shkonin për familjet në nevojë.
Dhe kështu është vepruar ditën e sotme teksa me paratë e grumbulluara janë blerë disa ushqime bazike dhe janë krijuar tre pako të cilat u janë shpërndarë tre familjeve me jetimë dhe që kanë shumë vështirësi.
“Thjesht u solidarizuam nisur nga situata e krijuar dhe bëmë aq sa mundëm. Shpresojmë që edhe ekipet e tjera të veprojnë në të njëjtën mënyrë dhe të ndihmojnë familjet e tjera në vështirësi”- thotë për “Shkodra Sport” trajneri i ekipit “Bashkimi” Ervin Alushi.
© shkodrasport.com