Mbërritja e tij të shtunën në Shkodër dhe firma e hedhur në tavolinën e punës të presidentit Sokol Dibra, ka entuziasmuar të gjithë dashamirësit dhe pasionantët e basketbollit në Shkodër. Kjo ngaqë ia dinë vlerat Nikolla Gjokoviç. Malazezi 26 vjeçar ka lënë një shije të mirë tek ata për periudhën që ka veshur fanellën e ekipit shkodran dhe për këtë arsye, rikthimi i tij konsiderohet si shumë pozitiv në përpjekjet e Vllaznisë për t’u shpallur sërish kampione. Edhe vetë Gjokoviç në një prononcim për gazetën, thotë se pikërisht për këtë arsye ka ardhur në Shkodër.

“Rikthehem sërish në Shkodër sepse kjo është shtëpia ime e dytë tashmë. Më mirë se ndjehem këtu nuk ndjehem në vend tjetër përveç familjes dhe ambjentit që më rrethon në Mal të Zi. Kam ardhur sepse dua të dal sërish kampion me këtë ekip, madje jo vetëm këtë sezon, por edhe disa të tjerë në vazhdim”- ka thënë ai fillimisht. Gjokoviç u largua nga Vllaznia në fundit të vitit të kaluar teksa kaloi tek ekipi i Ulqinit në kampionatin malazez ndërsa kohët e fundit nuk ka qenë i angazhuar me asnjë ekip. Kjo ka bërë që drejtuesit shkodranë të ngulin këmbë për ta rikthyer dhe kanë rënë dakord me të. Por për malazezin që ka fituar me kohë simpatinë e tifozëve të Vllaznisë, nuk do jetë problem përshtatja me ekipin sepse ai e njeh të gjithë përbërjen aktuale të tij. Megjithatë trajneri Gjeçaj është i mendimit se lojtarit të sapoardhur, do i duhet pak kohë për të kapur ritmin ngaqë kohët e fundit nuk ka qenë i angazhuar me asnjë ekip, gjithsesi ai do jetë në fushë të premten ndaj Kamzës. “Duke parë problemet e fundit teksa në asnjë ndeshje nuk kemi qenë të plotë me lojtarë dhe duke e ditur se vështirësia e garës sa vjen e rritet, kuptohet që kishim nevojë për lojtarë dhe për këtë arsye, vendosëm të ndërhyjmë në merkato duke ofruar Gjokoviç që ishte i lirë në këtë periudhë dhe i paangazhuar me ndonjë ekip tjetër. Gjatë seancave të ardhshme do të shohim sesi mund ta ambjentojmë në mënyrë që të jetë në fushë në ndeshjen ndaj Kamzës. Vllaznia e kam thënë se do të kërkojë titullin kampion edhe këtë sezon dhe padiskutim që me ardhjen e Gjokoviç, kjo është edhe më e mundshme megjithëse pas tij, mund të vijë edhe ndonjë sportist tjetër cilësor”- ka thënë trajneri i Vllaznisë.
Gjergj KOLA