Pas pak ditësh zhurme e komentesh nga më të ndryshmet, trajnerja e Vllaznisë në volejboll për femra Sadije Gogaj është rikthyer të flasë për largimin e trajnerit malazez Nebojsha Grabrz duke hedhur poshtë aludimet se ka patur mosmarrëveshje me të. Duke folur për telesport.al, ajo ka thënë: “Mund t’u them se të gjitha problemet që kemi patur janë zgjidhur.

Më tepër ka qenë një fryrje e medias sepse asgjë nuk ka ndodhur tek ekipi i volejbollit të vajzave të Vllaznisë. Trajneri malazez siç ka ardhur, ashtu edhe është larguar sepse ai nuk ka patur kontratë me klubin dhe nuk do rrinte përgjithmonë ngaqë kishte ardhur për një kohë të shkurtër në Shkodër. Ai na dha një eksperiencë të bukur dhe nuk është e vërtetë që unë kam patur kontradita me të.Unë e kam vlerësuar shumë punën e tij por në stërvitje mund të kemi debate pune por të gjithë, përfshi këtu edhe vajzat, e kanë kuptuar se shkaku i largimit të tij nuk është trajnerja”. Por pas largimit të trajnerit Grabrz edhe katër prej vajzave të ekipit bojkotuan stërvitjen megjithatë duket se çdo gjë edhe me ta është mbyllur dhe ata i janë rikthyer sërish stërvitjes, madje dje kanë luajtur ndaj Skënderbeut. Përjashtim bën vetëm kapitenia Ana Gjelaj që vazhdon të mos jetë pjesë e skuadrës. Duke folur për rikthimin e vajzave në stërvitje, trajenrja Gogaj do të shtonte: “Ka qenë një veprim i pajustifikuar i këtyre vajzave por ata e kanë kuptuar gabimin dhe i janë rikthyer stërvitjes”. Pikërisht këto probleme të ditëve të fundit kanë patur ndikimin e vet në rezultatet e dy javëve të para të kampionatit, ndeshje të cilat Vllaznia i ka humbur megjithatë trajnerja Gogaj është optimiste se skuadra do të renditet në mes katër ekipeve më të mira në fund të kampionatit.
Gjergj KOLA