Rënia e Besëlidhjes në Kategorinë e Dytë ka shkaktuar indinjatë në radhët e lezhjanëve. Të gjithë janë të bindur se ky verdikt ishte i paralajmëruar dhe shkaktarë janë një grusht njerëzish të veshur me pushtet. I këtij mendimi është edhe Gledis Lani, ish-futbollisti dhe më vonë trajner e zv.trajner i ekipit.

Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, deklaron: “Te Besëlidhja kam lënë një pjesë të mirë të jetës sime. Janë mbi 28 vite, jo pak. Besëlidhja është ekip me histori modeste, por që e ka argëtuar mjaftueshëm qytetin. Ka milituar mbi një çerek shekulli në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa pjesën tjetër të kohës e ka kaluar në Kategorinë e Parë. Ulja në Kategorinë e Dytë na ka mërzitur të gjithëve, pasi nuk jemi mësuar ta shikojmë në këtë nivel. Kjo është e treta herë që ndodh.

Në gjendjen e tanishme të ekipit kanë ndikuar më shumë interesat e një grushti njerëzish të veshur me pushtet, sesa mundësitë e qytetit për ta mbajtur skuadrën. Që në janar, Besëlidhjes i është prishur shtëpia ku stërvitej. Kjo jo vetëm që ndikoi në rënien e ekipit, por i ka mbyllur derën edhe brezit të ri, pra është ndërprerë përfundimisht zinxhiri i moshave.

Prishja e aneksit dhe deklaratat për prishjen e stadiumit, kam frikë se jo vetëm që Besëlidhja nuk do të rikthehet shpejt, por mund të pushojë së ekzistuari. Të vjen keq kur për interesat e një grushti njerëzish të veshur me pushtet dhe për tekat e tyre politike dhe ekonomike, shkatërrohet një aktivitet shekullor që ka argëtuar e emocionuar breza të tërë në qytetit tonë”.