Kur kemi ardhur në një fazë shumë vendimtare të sezonit, Vllaznia duket se do t’i besojë talenteve të rinj. Pasditën e sotme, trajneri maqedonas Goçe Sedloski ka vendosur t’i japë mundësinë të riut Gledjan Pusi që ta shohë nga afër në stërvitje nën drejtimin e tij.
21-vjeçari është një nga futbollistët e afirmuar të skuadrës U-21 dhe duket se klubi po e përgatit të afirmohet në skuadrën e parë. Pusi është me origjinë nga Oblika e Shkodrës dhe aktivizohet si mbrojtës qendre.
Edhe pse luan në këtë pozicion, ai është një ndër golashënuesit më të mirë të skuadrës së U-21, teksa këtë sezon ka arritur të shënojë jo pak, por gjashtë gola. Në fakt në ndeshjen e djeshme ndaj Kukësit, 21-vjeçari duket se ka arritur të bjerë në sy të Sedloskit dhe të pëlqehet nga ky i fundit.
Kështu si rrjedhojë, trajneri maqedonas ditën e sotme e ka thirrur në stërvitje me ekipin e parë dhe tashmë, me të gjitha gjasat Gledjan Pusi mund të jetë me skuadrën e parë në ndeshjen e së shtunës ndaj Kastriotit. Realisht, bëhet fjalë për një lojtar që po shkëlqen me Vllaznia U-21 dhe jo më kot ka rënë edhe në syrin e trajnerit të ekipit të parë, Goçe Sedloski.
Maringlen ZHIVANI