Çiklistët e Vllaznisë i kanë dhënë fund ditën e sotme përgatitjeve për Kupën “Agim Tafili” që do të startojë ditën e nesërme. Forma sportive e çiklistëve shkodranë duket e mirë, pavarësisht një problemi shëndetësor që ka kaluar së fundmi Bruno Kola dhe që shpresohet që të mos i përsëritet sërish edhe në këto gara.

Ekipi i Vllaznisë do të paraqitet me pesë çiklistë në Kupën “Agim Tafili” dhe pikërisht me Bruno Kolën, Marçelo Kolën, Flavio Venomin, Arglenio Sulajn dhe Bekim Tafilin. Në fakt, kuptohet që këto çiklistë kanë pretendimet e tyre në këto gara, sin ë kategorinë e të rriturve, ashtu edhe në atë të Junior.

Kështu, sipas trajnerit Leonat Kola, fakti që Kupa zhvillohet në Shkodër dhe për më tepër në nderim të një legjende si Agim Tafili, e bën mëse të domosdoshme kërkesën për të qenë fitues të garave në dy ditët e zhvillimit të kësaj Kupe. Trajneri Kola u shpreh i kënaqur për rikthimin e Kupës “Agim Tafili”, ndërsa theksoi se tashmë me mbështetjen e Bashkisë, me kryetarin e saj Bardh Spahia dhe me mbështetjen e veçantë të drejtorit të zyrës së sportit, Alban Neziri, shumë problematika janë vendosur në vijë falë tyre.

“Të them të drejtën, jemi mëse të kënaqur që arritëm me mbështetjen e kryebashkiakut Bardh Spahia dhe me mbështetjen e veçantë të shefit të sportit në Bashki, Alban Neziri, ta rikthejmë pas katër vitesh këtë aktivitet të rëndësishëm, në nderim të një prej figurave më të mëdha të sportit shqiptar dhe në veçanti të çiklizmit shqiptar, Agim Tafili. Jemi të kënaqur për këtë rikthim dhe shpresojmë të përfaqësohemi me dinjitet në këtë aktivitet, pasi ekipin e kemi organizuar maksimalisht.

Pas një eksodi masiv të çiklistëve të Vllaznisë, bërthama dhe fryma pozitive brenda skuadrës është ruajtur prapë. Kemi edhe dy afrime të reja, përveç Bruno Kolës dhe Marçelo Kolës që janë në elitën e çiklizmit me vite e vite. Flavio Venomi dhe Arglenio Sulaj vijnë nga Italia posaçërisht për të garuar për ngjyrat e ekipit kuqeblu të Vllaznisë.

Vllaznia pretendente për të fituar Kupën “Agim Tafili”? Padyshim, ne hymë gjithmonë për të fituar. Shpresojmë t’ia arrijmë dhe ta mbyllim me sukses këtë aktivitet të veçantë, që siç e thashë është kënaqësi dhe nder për ne të fitojmë këtë Kupë.

Në këtë Kupë janë dy etapa, që fillon nesër në orën 16:00 në hyrje të autostradës në Mamurras në drejtim të Shkodrës. Vijmë te Harku i Bërdicës, vazhdojmë në drejtim të rrugës së Velipojës. Më pas, dalim dhe lidhemi në Torovicë, Balldren dhe pastaj direkt në Shkodër në sheshin e Parrucës, ku do bëhet pritja e etapës së parë.

Etapa e dytë është Shkodër-Lezhë-Gomsiqe-Shkodër. Itinerari është ai që kemi bërë edhe vitet tjera dikur, kur bëhej ky aktivitet dhe shpresojmë që çdo gjë të shkojë më së miri. Ne jemi organizuar edhe me mbështetjen e Bashkisë, ku shumë gjëra i kemi vendosur në vijë falë saj dhe mbështetjes së veçantë të përgjegjësit të sportit, Alban Neziri. Shpresoj të bëjmë një përfaqësim dinjitoz.

Po ashtu, me mbështetjen e Bashkisë dhe mbështetjen e veçantë të përgjegjësit të sportit, Alban Neziri, ne menduam të fusim një risi të re për nderimin e shumë figurave të çiklizmit shqiptar ndër vite”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Leonat Kola.
Maringlen ZHIVANI