Nga Endri ÇINARI

Ngritja e Vllaznisë ka qenë me të vërtetë e madhe në 3 mujorin e fundit, pavarësisht humbjes së djeshme kundër Kukësit. Shkodranët e drejtuar nga Osmani pësuan humbje në kampionat pas 3 muajsh. Ku disfata e fundit shënohej sërish në transfertë, në datën 02.12.2023 kundër Egnatias. Kuqeblutë mposhteshin 3-0 në atë duel.

Që nga ajo periudhë skuadra ka marrë një fytyrë tjetër dhe forma më shumë se pozitive nuk mund të hidhet poshtë nga një humbje dje në Kukës. Ku siç ndodh rëndomë në mbarë ekipet botërore, çdo kush ka një ndalesë pavarësisht formës së mirë. Por ngritjen e Vllaznisë e tregojnë më së miri edhe statistikat, veçanërisht ato të prapavijës.

Në fillim të edicionit, mbrojtja e Vllaznisë ishte e “kryqëzuar” sepse ekipi pësonte shumë gola. Dhe ky repart shikohej si difektoz në mbarë vajtjen e rezultateve. Por duket se reparti i mbrojtjes e po ashtu skuadra në përgjithësi ka bërë një autokritikë përsa i përket kësaj çështjeje. Po të mos ishin dy golat e pësuar dje në Kukës, Vllaznia do kishte mbrojtjen më të mirë në kampionat.

Kjo pasi tashmë Vllaznia me 26 gola të pësuar është mbrojtja e dytë më e mirë në kampionat. Shifra më pozitive se shkodranët ka vetëm Partizani. Ku të kuqtë kanë pësuar 25 gola pas 28 javësh në Superiore. Po ashtu 26 gola, aq sa ka pësuar Vllaznia ka edhe Laçi. Duke formuar kështu treshen me më pak gola të pësuar deri më tani në Superiore./www.shkodrasport.com/