Pika e marrë sot pasdite në Varshavë të Polonisë ndaj kombëtares vendase padyshim që ka qenë arritja më e madhe e kësaj komëtareje.

“Arkitekti” i saj, ish- portieri i njohur i Vllaznisë Armir Grima, në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” pas ndeshjes, do të shprehej i lumtur për një arritje të tillë.

“Të them të drejtën edhe besoja tek ky sukses, edhe jo. Fakti që u ndëshkuam prej minutës së 2-të, krijoi njëfarë pasigurie duke çuar ndoshta ndër mend edhe një humbje të thellë por me kalimin e minutave, vajzat fituan besim.

Aq sa në pjesën e dytë shënuan golin e barazimit, rezultat të cilin e ruajtëm pastaj deri në fund.

Barazimi i sotëm ndaj një kombëtareje si ajo e Polonisë që është një nga më të mirat e Europës, është një rezultat shumë pozitiv.

Megjithatë, tashmë objektivi ynë është fitorja të martën në Elbasan ndaj Bjellorusisë për t’i mbyllur këto eliminatore në vendin e tretë në grup”- ka deklaruar trajneri i kombëtares shqiptare të femrave.

Në fakt, Shqipëria e femrave vërtetë ka pësuar një rritje të madhe në këto eliminatore.

Ajo është renditur e para në grupin eliminator duke lënë pas Greqinë, Kosovën e Maltën ndërsa tashmë barazon edhe me Poloninë.
© shkodrasport.com