Shqipëria e femrave është grumbulluar këto ditë teksa të premten në orën 20:30 e pret një ndeshje e vështirë ku do të luajë përballë Skocisë në transfertë. Një takim ky në kuadër të kualifikueseve për Europianin 2021.

Në lidhje me këtë përballje, trajneri Armir Grima shprehet se është i kënaqur me impenjimin e futbollisteve në këto ditë, ndërsa në vazhdim në prononcimin për RTSH, prek edhe temën e bojkotit duke theksuar se nuk është aspak në të mirën e futbollit dhe duhet të marrë zgjidhje.

“Jam i kënaqur me impenjimin e tyre dhe dëshirën që kanë për ta nxjerrë këtë ndeshje me sukses. Kemi pasur pak probleme me dëmtimet, por harmonia dhe dëshira për të luajtur futboll është e madhe.

Ne gjithmonë jemi në vëzhgim se ku mund të japin më të mirën vajzat, po testojmë se dihet që kemi një kundërshtar shumë të fortë. Vërtet që është një kundërshtar i fortë, por nëse luan i mobilizuar atëherë ka mundësi”.

Bojkoti? “Bojkoti nuk është në të mirën e futbollit dhe unë besoj se edhe instancat kompetente të qeverisë duhet të mendojnë dhe të mos e marrin si inat personal”, u shpreh Grima. /VipSport/