Kapiteni Erdenis Gurishta e shikon të vësh tirë skuadrën e Laçit sidomos në fushën e vet, por nuk e fsheh dëshirën që Vllaznia synon ta nisë këtë sezon me pikët maksimale. Sipas kapitenit, skuadra ka brumin e duhur që në këtë sezon të jetë pretendente në të dy trofetë. Për “Panorama Sport”, Gurishta vlerëson shumë edhe atmosferën pozitive që është krijuar në skuadër.

“Futbolli ka 3 rezultate dhe ndeshja ka shumë episode. Laçi është ekip shumë i fortë dhe një ndër pretendentët kryesorë. Sidomos në fushën e vet është skuadër shumë agresive. Por kjo nuk na pengon që të kërkojmë të marrim rezultat pozitiv”, tha mes të tjerash Gurishta në prononcimin e tij.


-Si duket atmosfera në skuadër?

Atmosfera është e mirë nga dita në ditë dhe prurjet e reja po ambientohen shume mirë me skuadrën, është një atmosferë shumë e këndshme.


Prisni ta startoni këtë sezon me një rezultat pozitiv?

Normalisht që do të synojmë ta nisim mbarë. Një nisje e mbarë është shumë pozitive për ecurinë e kampionatit.


Barazimi do të ishte një rezultat i kënaqshëm?

Futbolli ka 3 rezultate dhe ndeshja ka shumë episode. Nuk mund ta themi përpara ndeshjes nëse barazimi do jetë i kënaqshëm apo jo, por duhet shikuar dinamika e ndeshjes.


Laçi ka qenë një kockë e fortë për Vllazninë, sidomos në fushën e tij. Ka ardhur koha që kjo skuadër ta thyejë këtë tabu?

Laçi është ekip shumë i fortë dhe një ndër pretendentët kryesorë. Sidomos në fushën e vet është skuadër shumë agresive, por kjo nuk na pengon që të kërkojmë të marrim rezultat pozitiv.

Si e shikoni Vllazninë e këtij sezoni?

Vllazninë e shoh shumë të fortë dhe pa dyshim pretendente.

Për të dy trofetë?

Pa diskutim që e kemi organikën që të luftojmë në të dy kompeticionet. Nuk janë vetem 11 lojtarë, por jane 22 lojtarë të gatshëm për formacion dhe diçka e tillë është pozitive.


Kjo skuadër ka më shumë cilësi se ajo e sezonit të shkuar?

Ardhjet e reja kanë shumë cilësi, por e vetmja gjë është se kërkojnë kohën e vet për t’u ambientuar 100% me skuadrën.