Portieri shkodran Ervin Hallunaj ka disa ditë që ka shkëputur marëdhëniet me ekipin e Flamurtarit të Prishtinës dhe për momentin ndodhet në Shkodër ku është duke zhvilluar stërvitje individuale në mënyrë që të ruajë formën fizike sepse janari po vjen dhe me shumë siguri ai do të kalojë në një ekip tjetër. Në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” ai ka shpjeguar edhe arsyet e largimit nga Flamurtari duke thënë:

“Jam larguar me dëshirën time nga Flamurtari dhe nuk është e vërtetë që më kanë larguar. Arsyeja e largimit ka qenë ana financiare. Klubi nuk po na paguante dhe për këtë arsye vendosa të largohem. Sigurisht që nuk e dëshiroja një gjë të tillë por mendoj se ishte zgjidhja e duhur. Unë qëndrova edhe këtë sezon tek Flamurtari ndonëse kisha edhe oferta të tjera por meqë arritëm të ngjitemi në Superligë, desha të provoj aftësitë edhe në këtë kampionat sepse ka shumë ekipe të mira aty dhe mund të spikasësh me aftësitë tuaja. Por keqmenaxhimi i klubit dhe më pas problemet financiare, prishën çdo gjë dhe prandaj vendosa të largohem”. I pyetur ndërkohë për të ardhmen e tij, portieri Hallunaj zbulon edhe disa kontakte me ekipe të ndryshme. “Ofertat nuk më kanë munguar asnjëherë dhe për momentin jam i fokusuar në kontakte me skuadra të ndryshme. Kam biseduar me 2-3 ekipe të Superligës së Kosovës por nuk dua të jap emra ngaqë nuk do të ishte mirë dhe po ashtu kam kontakte edhe me ekipe këtu në Shqipëri. Besoj se ndoshta pa u mbyllur ky vit, unë do ta kem ndarë mendjen se ku do të luajë në gjysmën e dytë të këtij sezoni”- deklaron Hallunaj. Zëra të ndryshëm flasim edhe për mundësinë e bashkimit të tij me Vllazninë, skuadër e cila ka shfaqur probleme me portën dhe ai mund të ishte një alternativë e mirë për të. Megjithatë duhet pritur edhe pak ditë për të mësuar skuadrën e tij të ardhshme.

© shkodrasport.com