Edmond Hasanbelliu është prej më se dy dekadash në futbollin shqiptar dhe e di mirë eksperiencën e një turneu me ndeshje kthimi. Janë luajtur vetëm 90 minuta dhe në kthim mund të ndodhë gjithçka. Presidenti i Teutës, teksa përgatiti skuadrën që të shijojë suksese edhe në Europë, pas triumfit në Kategorinë Superiore, gjendet i papërgatitur kur skuadra e tij pëson dy gola edhe pse krijon volum loje dhe disa raste për shënim.

Presidenti i Teutës, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” tregon emocionet menjëherë pas humbjes nga skuadra e Andorrës Inter Club d’Eskaldes. Sipas tij është për të ardhur keq mënyra e pësimit të golave dhe fakti që skuadra nuk shfrytëzon lojën dhe rastet që krijon. Por, s’e humb besimin.


Teuta humb përballë një skuadre nga Andorra. Sa keqardhje keni?

Më vjen shumë keq, ishte një ndeshje që duhet të kishte një rezultat tjetër. Ne i kishim rastet tona, por nuk i shfrytëzuam.


Për çfarë ju vjen më së shumti keq?

Që humbim këtë ndeshje. Nuk e kish menduar. Besoja te skuadra dhe djemtë që do t’ia dilnin mbanë. I krijuan edhe rastet, por pësuan dy herë.


Sa peshojnë dy gola nga kundërshtari, edhe pse rregull i golit jashtë fushe nuk vlen më?

Peshon shumë, sepse do të na duhen të paktën dy gola atje që të mendojmë dhe shpresojmë shtesën. Për të shkuar më tej. Të paktën, të kishim shënuar një gol në shtëpi dhe do të ishim ndoshta edhe më të qetë dhe mund të bëhej më e lehtë ndeshja e kthimit.

Sipas jush, ka më shanse Teuta për kualifikim?

Ne do të provojmë gjithçka për gjithçka. Do të bëjmë gjithçka mundemi për t’u kualifikuar. Tani nuk kemi çfarë të humbim më.


A do të ketë masa pas kësaj humbjeje?

Jo, nuk është moment për të marrë masa. Kemi edhe ndeshjen e kthimit ndaj fokusi ynë është që të jemi të gjithë të përqendruar për të bërë atë që duhet në ndeshjen e kthimit dhe të kërkojmë të kualifikohemi.


Çfarë ju zhgënjeu më shumë në këtë humbje?

Në fakt jam shumë i zhgënjyer nga ekipi. Jua thashë që nuk e prisja një humbje të tillë. Golat e pësuar. Jam shumë i zhgënjyer nga mbrojtja. Do të shohim çfarë duhet bërë në ndeshjen e kthimit që t’ia dalim për t’u kualifikuar më tej.