Pas 23 orësh në “Roza Haxhiu” do të startojë një ndeshje shumë delikate e javës së 19-të të Superligës, ajo në mes Lushnjës dhe Vllaznisë.

Të dy ekipet do të kërkojnë padyshim fitoren sepse vetëm ajo u bën punë. Në kampin shkodran janë munduar ta përgatisin siç duhet këtë sfidë dhe trajneri Gjoka duket se ka vendosur të bëjë edhe një ndryshim të rëndësishëm në formacion.

Mbi të gjitha kemi një rikthim. Bëhet fjalë për mbrojtësin e djathtë Olsi Gocaj.

Ai ka qenë i dëmtuar prej një muaji e gjysëm dhe tashmë duket plotësisht i rikuperuar, çka do të thotë se nesër do ta nisë nga minuta e parë ndeshjen ndaj Lushnjës.

Ndaj Kukësit dhe Skënderbeut në vend të tij ka luajtur Pjeshka që kësisoj rikthehet në stol.

Rikthimi i Gocajt pritet t’i sjellë edhe më shumë stabilitet skuadrës në mbrojtje sepse njihen vlerat e këtij futbollisti.
© shkodrasport.com