Gerd Haxhiu ka mbetur i pakënaqur në këtë ndeshje të Vllaznisë ndaj Kukësit me trajnerin shkodran, Thomas Brdariç. Ai tha se aktivizimi i Gjurgjeviç në vend të Mustedanagiç, ishte një zgjedhje e gabuar nga ana e trajnerit kuqeblu.
Ish-futbollisti dhe tashmë trajner futbolli, ka qenë i ftuar në “Rubrika Sportive” në “RTSH Sport” dhe gjatë emisionit, ka deklaruar se skuadra shkodrane nuk bëri tre pasime bashkë, teksa u shpreh se ishte një ndeshje e mërzitshme për dy ekipe që luajnë futbollin më të mirë në Shqipëri.
“Në këtë ndeshje, mesfushorët e të dyja skuadrave, u futën në lojë në topat e dytë, që do të thotë, pas topit të gjatë që kthehej nga mbrojtja, këta mund të bënin ndonjë manovër, por nuk e kam parë kurrë Vllazninë dhe Kukësin, të bëjnë tre pasime bashkë. Gjyqtarin e ndeshjes së sotme, Meta, unë nuk e kam të preferuar, madje e kam kritikuar shpesh, por sot ai la të luhej futboll, sepse në pjesën e parë, kishte faulla pafund dhe i dha njëfarë ritmi, që mos të bëhej e mërzitshme.
Unë dëgjova të dy trajnerët pas ndeshjes dhe me ç’kuptova ishin të dy të kënaqur me nga një pikë. Fakti që nuk aktivizohet Mustedanagiç si lojtar trekuarist, dhe ishte përzgjedhur Gjurgjeviç, nuk ishte zgjedhja e duhur nga trajneri Brdariç i Vllaznisë.
Në minutën e 69-të, kur u fut Mustedanagiç, sikur nisën të prisheshin pak ekuilibrat. Skuadrat filluan të zgjateshin, rifilluan rastet nga të dy ekipet. Mund ta fitonte cilado ndeshjen, por pastaj në fund ishin të dy ekipet të kënaqur, bazuar këtu në deklaratat e trajnerëve.
Trajneri i Vllaznisë, Brdariç, e pranoi ku tha se ishte një strategji e tyre. Goditja e Aralicës me kthesë dhe e Feijao, ishin dy momentet e rrezikshme në portat respektive.
Nuk është se kishte raste. Në 15-minuta, krijuan pak raste, por të rrezikshme ishin këto të dyja”,-tha gjatë prononcimit të tij, specialisti i futbollit, Gerd Haxhiu.
Maringlen ZHIVANI