Vllaznia në volejboll për femra ka mposhtur me rezultatin e pastër 3-0 Teutën. Në ndeshjen e rradhës për kampionat që u luajt në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajnerja Nora Deda kishte një dominim të plotë në fushën e lojës.

Në dy setet e para u mbyllën me fitore, përkatësisht me të njëjtin rezultat, 25-18, i pari dhe i dyti. Ndërkohë, në setin e tretë pati një reagim të skuadrës durrsake, e cila e drejtuar nga trajneri Edmond Jazexhi, këmbënguli shumë për të marrë këtë set, por volejbollistet kuqeblu arritën ta fitojnë edhe atë 25-23.

Në këtë mënyrë, Vllaznia mori një fitore me shumë meritë me rezultatin e përgjithshëm 3-0. Pas ndeshjes, trajnerja e ekipit kuqeblu, Nora Deda tha se afrimet e tre volejbollisteve të huaja në merkaton e janarit, kanë përforcuar në mënyrë të ndjeshme Vllazninë.

Kështu, Vllaznia merr një fitore shumë të rëndësishme, e cila vjen në momentin më të mirë për të karikuar skuadrën për ndeshjen e rradhës që do të luhet në kryeqytet përballë Tiranës./www.shkodrasport.com/