Vllaznia U19 do të ndeshet në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë me ekipin e Shënkollit. Ky është verdikti i shortit të hedhur paraditen e sotme në ambjentet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Dy skuadrat veriore do të ndeshen të mërkurën me njëra- tjetrën ndërsa çifti tjetër gjysmëfinalist, do jetë ai i derbit të kryeqytetit, Partizani- Tirana.

Përballja Vllaznia- Shënkollit do të jetë njëkohësisht edhe një përballje në mes dy trajnerëve shkodranë që i drejtojnë këto ekipe, Luan Zmijanit dhe Haris Likës. Ky i fundit prej fillimit të këtij sezoni drejton ekipin e Shënkollit duke bërë një punë shumë të mirë me të.

Edhe në ndeshjen e kampionatit, përballja mes këtyre dy ekipeve u pat shoqëruar me një rivalitet të madh dhe në fund të takimit të luajtur në “Reshit Rusi” u siglua rezultati i barabartë 1-1. Ky është një tregues që edhe ndeshja e së mërkurës do të jetë shumë e luftuar dhe të dy ekipet do të synojnë fitoren.

Megjithatë në kampin shkodran janë të bindur se suksesi do të anojë nga ata dhe do të sigurojnë daljen në finale përballë fitueses së çiftit tjetër, atij Partizani- Tirana. Vllaznia U19 ka treguar këtë sezon se është ajo skuadra për t’u mundur. Kryeson me meritë renditjen e kampionatit dhe po ashtu edhe në Kupë është pretendentja kryesore për fitimin e saj.

Megjithatë, kupa ka një specifikë tjetër që nuk të lejon gabime dhe për këtë arsye trajneri Zmijani me siguri që do t’i marrë të gjitha masat për ta kaluar me sukses edhe Shënkollin dhe për të shkuar në finalen e këtij sezoni./SHKODRA-SPORT.COM/