Flamurtari duhet të ngjitet në Superiore dhe kthesën e pret që këtë javë ndaj Korabit. Ky është kusht i panegociueshëm që i ka vendosur klubi trajnerit të ri.
Sinan Idrizi zbulon pse zgjodhi pikërisht Marcelo Troisin mes tre kandidatëve që kishte për stolin, ndërsa mendon se ai do të jetë “kuzhinier” i mirë. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, i kthehet edhe një herë dorëheqjes së Dritan Resulit. Nuk ka folur më të dhe duket se nuk ka në plan ta bëjë, derisa ai e mori vendimin pa u konsultuar.


Pse vendosët të telefononit pikërisht Marcelo Troisin për t’i besuar postin e trajnerit të Flamurtarit?

Dorëheqja e trajnerit Dritan Resuli ishte e papritur dhe siç e kam thënë ai nuk u konsultua me mua si administrator. Përderisa e mori vendimin e tij, nuk kisha pse e ktheja mbrapa. Nisa menjëherë kontaktet për pasuesin. Ishim ne bisedime me tre trajnerë. Njëri ishte shqiptar, një tjetër italian shumë i njohur dhe që ka trajnuar me parë në Shqipëri dhe tjetri Troisi. Në fund vendosëm për t’i besuar brazilianit, pasi kemi punuar me të dhe ai e njeh klubin, ekipin dhe qytetin.

Çfarë objektivi i keni vendosur trajnerit të ri?

Superiorja është objektivi i vetëm që ka Marcelo Troisi. Nuk ka asnjë tjetër. Vetëm ai është.


Para se të niste kampionati, në një mbledhje që keni zhvilluar me stafin teknik, iu kujtonit se ju jeni “furnitori” dhe ata “kuzhinierët”. Mendoni se Troisi i ri është kuzhinier i mirë?

Ideja është shumë e thjeshtë. Ne presim rezultate. Nuk është se e pres vetëm unë, e presin të gjithë. Nuk është “gjella” ime kjo, është “gjellë” qyteti.


Ndryshimin e prisni që në ndeshjen me Korabin?

Presim të gjithë ndryshimin që në ndeshjen e radhës me Korabin. Nuk është ndonjë ndryshim i madh: të bëjnë ndeshjen e radhës dhe kaq.

Lojtarët e huaj janë sjellë në Vlorë nga Troisi apo nga menaxherë të tjerë?

Lojtarët e huaj janë sjellë në Vlorë nëpërmjet menaxherëve të ndryshëm. Troisi ka sjellë vetëm Olivierën, të tjerët kanë ardhur përmes menaxherëve të tjerë.

Komunikuat me ish-trajnerin Resuli pas deklaratës së tij për ndërhyrje?

Nuk kam çfarë të flas me Resulin. Ishte fati i keq i tij. Punoi mirë, ka qenë i përkushtuar. Por fat i keq. Janë ca gjëra që në futboll nuk janë në dorë të tij. I eci keq në ndeshjen e parë, filluan kritikat ndaj tij. Po të shkonte mirë, do ta kishim ngritur në qiell. Do të thoshim trajner më të mirë se ky nuk ka pasur. Janë klasike këto. Ai bëri maksimumin e tij. Në kohë të vështira ka qenë me ne, djalë i mirë dhe punëtor, por ndonjëherë këto nuk mjaftojnë.