FSHF-ja po vret futbollin në Shqipëri”. Sinan Idrizi kërkon reagimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për ngritjen e një grupi që të hetojë shitjet dhe blerjet në futboll.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, presidenti i Flamurtarit thotë se tashmë është hapur tenderi në Kategorinë e Parë, kush paguan më shumë. E cilëson një paraqitje mesatare ndeshjen me Burrelin. Thotë se skuadra ka zhvilluar dhe ndeshje të dobëta, por edhe është dëmtuar si me Dinamon. Idrizi komenton dhe përplasjen mes Marcelo Troisit dhe Diego Longos.


Zoti Idrizi, si ju duket kampionati në këtë pikë që ka arritur?

Përpara se të flas për këtë, deri tani kam qenë me Auguston. Do ta çojmë të bëjnë ndërhyrjen. Ja ky është rezultati i këtij kampionati, loja e ashpër, që një herë i çan kokën këtyre djemve, ndërsa tani i theu këmbën.


Flamurtari barazoi me Burrelin, çfarë nuk shkoi?

Shikoni, mos u merrni me këto. Ato janë ndeshje më klasike. Mua më pëlqeu një shkrim në gazetën tuaj i profesor Besnik Dizdarit, që fliste për vrasjen e Flamurtarit dhe Skënderbeut. Ekspert Vlora e ka një, që është me origjinë këtej nga ne, por kur revoltohet… Nuk bëhen të gjithë…


Për kë e keni fjalën?

Për ekspertët që Vlora i ka pafund. Megjithatë ishte një argument logjik i profesor Dizdarit për problemet me skemën dhe se si vritet futbolli në Shqipëri. Sot jemi në një standard që jemi në Kategorinë e Dytë, apo në të Parën siç i themi tani. Por këtu nuk luhet më futboll në fusha. Është hapur tenderi, ky merr kaq dhe ky tjetrin jep aq.

Të përfshira në këtë gjë janë edhe strukturat e FSHF-së. Futbolli i një skeme me 10 skuadra është një dështim total. Më thoni një ekip që nuk ankohet për skemën, për arbitrimin. Ata që menaxhojnë sot futbollin në Shqipëri po e vrasin atë. Të merren me skemën. Me Korçën nuk fituam për meritë të kundërshtarit, me Dinamon e patë vetë. Ajo që ndodhi ishte vrasje e futbollit që bënë strukturat e FSHF-së. Këtu nuk ke me kë të dialogosh.

Pas kësaj që po thoni ju si investitor ndiheni pesimist?

Unë nuk e njoh pesimizmin si koncept, as fatalizmin nuk e kam, por besoni apo nuk besoni, kur nuk je më, të mbetet vetëm emri pas. Ti mund të jesh 30 apo 100 vjet kryetar federate apo qeverie, por në fund të mbetet vetëm emri. Ata një kombëtare kanë dhe po bëjnë vetëm menaxhim, asgjë tjetër


Çfarë doni të thoni me këtë?

Ne kemi vetëm lojtarë të huaj në Kombëtaren tonë. Ata janë me dopio shtetësi. Mos o zot nëse ne jemi në luftë dhe na pushtojnë, asnjë prej tyre nuk vjen si ushtar këtu. Ata nuk kanë lidhje me futbollin tonë, 90% e atyre që ne i quajmë “legjionarë” luajnë në kampionate të huaja, që nuk janë prodhim shqiptar. Federata menaxhon lojtarët nëpër botë që nuk e kanë primare Shqipërinë. Nuk është meritë e FSHF-së kjo, që po bën menaxheren dhe kaq.

Këtu e ka marrë “ferra uratën”. FSHF-ja bën sikur investon në ndonjë fushë, qeveria bën investime në stadium, por Ministria e Arsimit dhe Sporteve duhet të reagojë, të ketë struktura të veçanta që të luftojë atë që po ndodh në futboll dhe pazaret. Unë nuk e kuptoj pse nuk reagon ministria. Ishte brilant shkrimi i Dizdarit për ne që duhet të investojmë nga lekët tona, ndërsa këta nuk harxhojnë para. E drejtojnë federatën si një ministri. Është katastrofë e futbollit shqiptar. Këtu dihet se kush do të bëjë gol.

Keni një koment për barazimin me Burrelin?

Janë dy gjëra të ndryshme ndeshjet e dobëta që kemi luajtur sikundër edhe në Pukë, me atë me Dinamon. Edhe me Burrelin ishte një paraqitje mesatare nga ana jonë. Por ndikimi i rezultatit që ndryshon ekuilibrat është plus minus një dhe ju e dini si të çon pastaj. Ne nuk kemi 5 penallti, ndërsa të tjetër kanë nga 16-të. Këto duhen marrë në lupë pasi dihen. Por kur ky hesht, ai hesht, atëherë fiton ai që luan nën tavolinë. Ne nuk luajmë kështu.

Si e shikoni përplasjen mes ish-trajnerit Marcelo Troisi dhe trajnerit aktual Diego Longo?

Është brenda llojit. Troisi bëri një punë të mirë te Flamurtari. Ndërsa me Longon kemi një bashkëpunim më tepër se korrekt dhe serioz. Futbolli kështu është. Duhet një top nga shtylla dhe jashtë të shahesh me “libër shtëpie”. Një shtyllë dhe brenda, pastaj brohorasin kompetentin “Vasil, Vasil ti je bota”. Mendoj se si Troisi dhe Longo janë me vlerë, njëri për çfarë ka dhënë dhe tjetri për çfarë po jep te Flamurtari.