Real Madridi e ka mposhtur Chelsean në dy ndeshjet çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 4-0 (2-0), për ta eliminuar kështu nga Liga e Kampionëve. Blutë e nisën më furishëm ndeshjen, duke mbajtur nën presion Los Blancos.

Rasti i parë serioz i ndeshjes erdhi në minutën e 11-të, kur N’Golo Kante u gjend brenda zonës, por që nuk ia doli të mposhte Thibaut Courtoisin.Më pas ishte radha për Real Madridin, kur Rodrygo (21’) goditi shtyllën.

Chelsea nuk u ndal me lojë sulmuese, duke tentuar së paku të shënonte një gol në 45 minutat e parë, mirëpo nuk ia doli. Real Madridi në anën tjetër kishte një lojë më të kujdesshme dhe synonte ta zinte në befasi ekipin londinez.

Por, Blutë lëshuan një tjetër rast të qind për qind për gol, kur Marc Cucurella dështoi ta mposhte nga afërsia Courtoisin në minutën e 45+1-të.

Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për Chelsean, kur Kante në minutën e 52-ë përsëri dështoi ta mposhte portierin belg.Tre minuta më vonë, edhe Enzo Fernandez nuk ia doli të mposhte Courtoisin, pasi goditja e tij doli jashtë.

Në rregullin e pashkruar në futboll se kur nuk shënon, pëson – kështu ndodhi edhe me Chelsean në minutën e 58-të, kur Vinicius Junior asistoi te Rodrygo, që realizoi për 1-0.

Ishte minuta e 70-të e takimit kur Chelsea kërkoi penallti për një rrëzim në zonë të Kai Havertzit nga lojtarët madrilenë, por gjyqtari bëri me shenjë që loja duhej vazhduar.

Real Madridi nuk u ndal me kaq dhe shënoi edhe të dytën, sërish me anë të Rodrygos, që u asistua prej Fede Valverdes në minutën e 80-të për 2-0.

Los Blancos ia dolën që të kalojnë Blutë me lehtësi, për të shkuar në gjysmëfinale, aty ku e presin fituesin e duelit mes Manchester Cityt dhe Bayern Munichut.