Igli Tare festoi pak ditë më parë datëlindjen e 49-të, edhe këtë herë si drejtor sportiv i Lazios, ku nuk munguan urimet e shumta për shqiptarin. Megjithatë, pavarësisht urimit edhe të Lotitos, presidentit të Lazios, marrëdhënia mes tij dhe Tares nuk është më si më parë, por ka pësuar krisje.

Në fakt, Tare nuk ka aspak marrëdhënie të mirë me trajnerin Maurizio Sarri. Ky i fundit e ka kritikuar vazhdimisht për merkaton, pasi nuk merr futbollistët që do.

Kështu, është përfolur shumë muajt e fundit për një largim të Tares nga Lazio dhe ku ka zë nuk është pa gjë. Albania Team shkruan se, Igli Tare ka qenë shumë pranë PSG këtë verë, për të qenë drejtori i ri sportiv i francezëve.

Kampionët e Francës kanë bërë shumë ndryshime këtë verë, duke filluar nga trajneri, por ndryshimet do të përfshijnë edhe stafin drejtues. Tare, duke qenë një nga drejtorët sportiv më të suksesshëm në Europë, ka rënë në syrin e sheikëve të PSG, që i kanë ofruar atij një kontratë shumë të leverdishme.

Megjithatë, çfarë ndodhi? Pikërisht, Kylian Mbappe ka qenë ai që ka dalë kundër ardhjes së shqiptarit në postin e drejtorit sportiv. Me kontratën e re të nënshkruar pak muaj më parë, Mbappe ka marrë shumë të drejta tek PSG dhe një nga këto është “veto” e tij për të pranuar ose jo drejtorin e ri sportiv.

Ende nuk dihet arsyeja pse Mbappe ka dalë kundër Tares, por mesa duket djaloshit të llastuar francez, i pëlqen t’i bëjë të gjitha vetë, sipas tekave të tij.

Maringlen ZHIVANI