Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka folur pas ndeshjes ndaj Viktoria Plzen, ku pësuan humbje me rezultat 1-0.m

‘Timonieri’ i Ballkanit ka thënë se kishte gjëra pozitive te skuadra, ndërsa u ankua sërish që zhvilluan ndeshje të dielën.

“Në fazën e mbrojtjes kemi bërë goxha mirë. Kemi pasur edhe ne situatat tona. Me një kundërshtar si Plzeni, në stadiumin e tij, kemi bërë një ndeshje të mirë karshi një kundërshtari shumë të fortë”, ka thënë Daja për Art Motion.

Daja ka theksuar se Ballkani në Evropë e përfaqëson futbollin kosovar. Ka thënë se është lokomotiva e Superligës dhe se duhet të ketë më shumë mirëkuptim për orarin, pasi të dielën luajti ndaj Dukagjinit.

“Duhet të kemi më shumë mirëkuptim për orarin në Superligën e Kosovës, pasi që Ballkani përfaqëson futbollin e Kosovës. Goli u shënua me devijim dhe fati ishte me kundërshtarin. Kam çka t’iu tregoj çunave. Ka shumë gjëra pozitive kjo ndeshje. Nuk fshihemi në fushë. E kontrollojmë topin më shumë se kundërshtari”.