Shumë vite me Vllazninë si lojtar e më pas edhe si trajner tek Akademia por edhe tek ekipi i parë, kanë bërë që Ilir Dibra të jetë i lidhur ngushtësisht me këtë emër dhe ngjyrat kuqeblu. Ai ka lindur më 16 korrik 1977 dhe është marrë për shumë vite me futboll duke shkruar emrin në historinë e artë të Vllaznisë me të cilën ka fituar edhe trofe.

Prej tre vitesh, mbrojtësi shtatëlartë ndodhet bashkë me familjen e tij në Kanada, por mendjen e ka sërish në Shkodër. Për rrjedhojë, në një lidhje të drejtëpërdrejtë me emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa, Dibra ka folur për shumë gjëra, duke filluar nga ajo e karrierës së tij..

“Karriera ime ka qenë e gjatë dhe sa herë që kthehem pas, kujtoj me nostalgji ato momentet e bukura të saj dhe kënaqem me këto gjëra sepse pjesa më e bukur e jetës ka qenë pikërisht me futbollin. Momentet më të bukura janë pikërisht ato kur kemi fituar trofe. Tashmë që kthehemi pas në kohë, kuptohet që i shijojmë edhe më tepër këto suksese, kujton ato momentet e bukura që të jep futbolli dhe sidomos Vllaznia me atë tifozllëk të shkëlqyer që ka.

Kur ke një karrierë të gjatë si futbollist, shumëkush mendon që të vijojë të merret me këtë sport dhe e vijon atë në rolin e trajnerit. Kështu veprova edhe unë duke vijuar punë si trajner dhe jam i kënaqur me kontributin që kam dhënë duke drejtuar grupmosha nga më të ndryshmet, por kam punuar edhe me të rriturit dhe madje edhe me ekipet e femrave”- thotë ai.

I pyetur ndërkohë nëse e ndjek Vllazninë aktuale, ish- mbrojtësi i saj deklaron: “Ndonëse në Kanada prej tre vitesh, gjithmonë kam qenë në ndjekje të zhvillimeve të Vllaznisë dhe më vjen keq që e shoh atë sërish. Në fillim të sezonit, me ardhjen edhe të trajnerit Mirsad Jonuz mendova se ecuria e skuadrës do të ishte ndryshe, por nuk e di se çfarë ndodhi dhe ajo rrëshqiti sërish”.

Sakaq në fund i kërkojmë Dibrës edhe një përcaktim për atë se çfarë është Vllaznia për të dhe 43 vjeçari do të shprehej: “Vllaznia është pjesë e rëndësishme e jetës time, madje pjesa më e bukur e saj. Mendja dhe zemra janë gjithmonë tek Vllaznia, kudo që të jem”.
© shkodrasport.com