Sfidë në fushë, në merkato dhe në ekonomi. Fjala ‘rivalitet’ në fjalorin e Juventus dhe Inter është në faqen e parë . Presioni i derbit të Italisë që do të luhet mbrëmjen e së premtes rritet dhe të mërkurën, Marco Bellinazzo, eksperti i futbollit dhe financës, ka krahasuar të dyja skuadrat për “Goal.com”.

Hendeku mes Juventus dhe Inter vazhdon të shtohet, si në fushë, ashtu edhe në arkat e të dy klubeve. Për sa i përket të ardhurave, Bellinazzo thekson se zikaltrit kanë rritur ndjeshëm numrin e sponsorëve (+16%) me një total prej 130.3 milionësh.

Inter-i renditet më lart në klasifikim për sa i përket numrit të spektatorëve, me një mesatare prej 57 mijë shikuesish për ndeshje, teksa 30 mijë janë të abonuar. Vetëm stadiumi është identifikuar si një pikë themelore për të zvogëluar distancat midis dy realiteteve.

Pikërisht nëpërmjet stadiumit zikaltrit mund dhe duhet të rikuperojnë terren kundrejt Juventus (Allianz Stadium ka një kapacitet prej 40 mijë vendesh). Për këtë do të jetë vendimtar plani që duhet arritur në marrëveshje me Milan-in brenda 2019-ës për një ristrukturim të “San Siro”-s dhe të zonave ku qëndrojnë tifozeritë e dy ekipeve për të dyfishuar (dhe trefishuar në planin afatgjatë) të ardhurat e stadiumit.