Dritan Smajli ka ndërruar pankinë para pak ditëve. Kështu, trajneri lezhjan është larguar nga Veleçiku dhe ka marrë drejtimin e Besëlidhjes.

Ai kishte shumë ditë që priste një takim me klubin koplikas, por kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Gjatë kohës që drejtuesit nuk ia ofruan rinovimin, i erdhi oferta që e ka pritur prej ditës që ka nisur rrugëtimin si trajner.

Një telefonatë nga Lezha dhe 38-vjeçari pa u menduar dy herë tha “po”. Kështu, Smajli ka marrë zyrtarisht drejtimin e Besëlidhjes, të cilët nuk i gjen në momentin më të mirë të mundshëm, por sfidat për të nuk janë aspak problem.

Skuadra lezhjane ka rënë në Kategorinë e Dytë për të tretën herë gjatë historisë shekullore dhe misioni i ngjitjes do të nisë me të në stol. Kundërshtar do të ketë edhe skuadrën që e drejtoi sezonin e fundit dhe e afroi aq shumë me ngjitjen në Kategorinë e Parë, Veleçikun.

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Shkodra Sport” ai ka zbuluar edhe arsyet që e çuan drejt këtij largimit nga Veleçiku dhe marrjes së drejtimit të Besëlidhjes. Smajli u shpreh se ishte në bisedime prej kohësh me drejtuesit lezhjanë, ndërsa theksoi se priste minimumi një telefonatë nga drejtuesit koplikas. Megjithatë për më tepër, më poshtë mund të lexoni edhe intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.


-Smajli, e prisnit një ndryshim të tillë kaq shpejt, nga Veleçiku tek Besëlidhja?

Pak a shumë e prisja, pasi kisha kohë që isha në bisedime me drejtuesit e Besëlidhjes dhe unë ua kisha dhënë fjalën që do kishim një bashkëpunim në përfundim të sezonit, pasi nuk doja ta lija përgjysëm rrugën që nisa me Veleçikun.


-Çfarë ndodhi që nuk patët një takim me drejtuesit e Veleçikut, pse nuk ua ofruan rinovimin?

Të them të drejtën, edhe sot nuk e di, sepse minimumi prisja një telefonatë nga kryetari Tonin Marinaj ose nga drejtori Nuri Rexha, jo për të rinovuar, por për t’iu thënë çunave një bravo të madhe për sezonin që zhvilluan dhe kjo më mërziti jashtëzakonisht shumë. Më pas, unë nuk tentova fare të kem një komunikim me drejtuesit, qoftë edhe me kryetarin Tonin Marinaj.

-Megjithatë, besoj mjaft i kënaqur dhe i lumtur për emërimin e ri tek Besëlidhja, pasi është “shtëpia” juaj apo jo?

Padiskutim që po. Po kthehem aty ku nisa karrierën dhe projekti ambicioz i drejtuesve më bindi dhe nuk ishte e vështirë që të fillojmë një bashkëpunim, pasi e njohim shumë mirë njëri-tjetrin.

-Skuadrën e Besëlidhjes nuk e merrni në një moment të mirë, pasi ka rënë në Kategorinë e Dytë, sa do të ndikojë për ju personalisht dhe në punën tuaj?

E vërteta është që e marr në një moment jo të mirë, por unë kurrë nuk u jam trembur sfidave dhe kjo është një sfidë për mua, për të bërë mirë për qytetin dhe për klubin. Unë besoj që do ia arrijmë që Besëlidhjen të gjithë bashkë ta çojmë aty ku e meriton. Unë jam në hapat e parë të karrierës dhe besoj se nuk më dëmton fare, përkundrazi do “pjekem” akoma më shumë, pastaj nuk po marr një klub dosido, por po marr një klub me traditë dhe me emër.


-Do synoni të ngjiteni direkt që këtë vit në Kategorinë e Parë?

Padiskutim që po. Për këtë gjë, jam sot trajner i Besëlidhjes. Megjithatë, t’ia lëmë kohës një gjë të tillë.

-Te Besëlidhja gjeni edhe dy shkodranë si kapiteni Klejdi Dibra dhe mesfushori Samet Hepaj, do tentoni t’i mbani në Lezhë këto futbollistë dhe a mund të kërkoni të ketë afrime të lojtarëve shkodranë në ekipin tuaj?

Të gjithë që kanë kontratë me Besëlidhjen do të jenë pjesë e saj. Unë skuadrën e njoh, sepse i kam parë disa ndeshje, por e vërteta është që merkato do të ketë në çdo repart, sepse duhet të ndërtojmë një skuadër shumë të fortë që mos ta diskutoj ngjitjen. Kapiteni Dibra dhe Hepaj kanë dhënë për Besëlidhjen. Kështu që, pse jo mos të jenë nën urdhrat e mia edhe për një sezon. Po ashtu, do kemi një bashkëpunim të ngushtë me Vllazninë edhe për faktin që drejtor është Elvis Plori dhe më ka premtuar që do kemi bashkëpunim shumë të ngushtë.
Maringlen ZHVANI