Pas disa largimeve në qendër të mbrojtjes në ekipin e Vllaznisë nga grupi i vjetshëm, që fituan Kupën e Shqipërisë, pati edhe afrime të futbollistëve të tjerë. Njëri prej tyre ishte Marko Juriç, një futbollist që pritet të jetë një pikë kyçe në sezonin e ri në repartin defensiv për ekipin e Vllaznisë.

Mbrojtësi kroat, i cili ka luajtur së fundmi për Shiroki Brijeg, tregon në një intervistë për “Shkodra Sport” rreth aventurës së re me Vllazninë dhe jetën e tij deri më tani në Shkodër.

Juriç u shpreh se është shumë i kënaqur që do të luajë për një klub të madh siç është Vllaznia, ndërsa theksoi se do të japë maksimumin nga vetja e tij për klubin dhe tifozët. Për më tepër, lexoni intervistën e tij për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.


Marko, një aventurë e re për ty me Vllazninë, ku luajtët edhe dy ndeshje në Conference League, si është skuadra e re për ju dhe si jeni ndjerë?

Jam shumë i kënaqur që erdha në një klub të madh siç është Vllaznia. Për mua, është një sfidë e mrekullueshme dhe dua të jap çdo gjë nga vetja ime, për klubin dhe tifozat tanë të mrekullueshëm. Kam luajtur edhe dy ndeshje në Conference League me Vllazninë.

Jam shumë i mërzitur që humbëm, por më së shumti jam i mërzitur me ndeshjen e dytë, në të cilën mund të kishim dalë më mirë. Megjithatë, kjo është në të kaluarën tashmë dhe po shpresoj që të fitojmë kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Skuadra më ka pritur mëse miri dhe po e shijoj kohën time këtu.

A mendoni se do të jetë një vit pozitiv për ju me Vllazninë në Superiore?

Shpresoj të mos kem probleme dëmtimi dhe të jem në gjendje për të gjitha sfidat që kemi përpara. Jam shumë gati. Me zor po pres për kampionatin që të fillojë dhe shpresoj që do të jetë një vit i suksesshëm për mua dhe për klubin.


E pate të lehtë të përshtateshe me Shkodrën dhe a po e shijon qëndrimin këtu?

Fatkeqësisht, për shkak të axhendës shumë të zënë me përgatitje, nuk kam patur mundësi ta njoh mirë qytetin, por gjërat që kam parë deri tani më kanë pëlqyer shumë. Shkodra është një qytet i bukur dhe shpresoj ta njoh më mirë. Besoj se do ta kem të lehtë të përshtatem.


Si ju trajtojnë njerëzit në Shkodër dhe cilin futbollist keni për shembull?

Këtu, njerëzit janë me të vërtetë të këndshëm dhe shumë miqësor. Në fakt, është e mrekullueshme se si qyteti është i lidhur me klubin e Vllaznisë. Nga ana tjetër, idhulli im është Thiago Silva. Më pëlqen me të vërtetë stili i tij i lojës dhe eleganca e tij.


Si e shihni të ardhmen me Vllazninë? A mund t’ia dilni të fitoni trofe me ekipin e Vllaznisë?

Unë dua të jap më të mirën për Vllazninë dhe besoj se kjo skuadër ka kualitetin për arritjet më të mëdha. Unë erdha këtu prej ambicies time për trofetë. Kur pashë festimet e vitit të kaluar të Vllaznisë pas ngritjes së Kupës, doja ta ndjeja edhe unë atë emocion. Jam i sigurtë që mund ta fitojmë titullin dhe të festojmë me tifozët tanë.
Maringlen ZHIVANI