Saimir Patushi është padyshim një nga ish-futbollistët që ka lënë gjurmë në Shkodër. Ish-mesfushori matjan ishte pjesë e Vllaznisë së artë, duke arritur të fitojë edhe titullin kampion me fanellën kuqeblu.

Ai është gjithmonë i gatshëm për të folur dhe komentuar rreth Vllaznisë sa herë i kërkohet, pasi është një nga ekipet e tij të zemrës dhe padyshim kuptohet që e njeh mirë ambientin në Shkodër. Prandaj, një gjë të tillë nuk ka ngurruar ta bëjë së fundmi edhe në një intervistë për “Shkodra Sport”.

Patushi u shpreh se mundësia më e mirë në vazhdim e Vllaznisë për të arritur synimet e saj është Kupa e Shqipërisë, ndërsa theksoi se në “Klasiken” e fundit ndaj Tiranës, fati nuk ishte me kuqeblutë. Poashtu, ish-mesfushori matjan shtoi faktin se Vllaznia ka qenë me ulje dhe ngritje gjatë gjithë sezonit, ç’ka ka ndikuar edhe në rezultatet e këtij ekipi. Megjithatë, më poshtë keni mundësi të lexoni intervistën e tij dhënë për gazetën tonë gazetarit Maringlen Zhivani.


-Patushi, “Klasiken” e pak ditëve më parë e fitoi Tirana, si një “ish” i të dyja skuadrave si e shikuat këtë përballje, padyshim që besoj me mjaft emocione dhe me mjaft kujtime për ju apo jo?

Kur luajnë këto dy ekipe padyshim emocionohem, por më vjen mirë që të dyja skuadrat dhurojnë lojë të bukur. Ky takim kishte dy tablo. Një Tiranë në pjesë të parë superiore, që realizoi atë gol të vyer me Abazaj dhe një pjesë të dytë që Vllaznia vetëm fatin nuk kishte me vete për të realizuar. Mbase, fati ishte me Tiranën.


-Megjithatë, si e shikoni Vllazninë aktuale dhe njëkohësisht, edhe të ardhmen e saj?

Vllazninë e shikoj si një Vllazni me ulje e ngritje gjatë gjithë sezonit. Mbase duhet të shkundet këto gjashtë javë për të marrë maksimumin. Kaq mund të them për momentin.

-A keni parë ndonjë ndryshim me trajnerin e ri maqedonas Goçe Sedloski?

Trajneri Sedloski e di mirë kë po trajnon. Uroj që ekipi t’i përgjigjet ideve që ai ka. Unë nuk mendoj që ka shkop magjik, por këto javë do të shikojmë deri ku do shkojë ky trajner. Besoj se është test edhe për të.

-Patushi, sot Vllaznia luan ndaj Egnatias për Kupë ndeshjen e parë, si e shikoni?

Në qoftë se, ti do të fitosh trofe, pavarësisht me kë përballesh, ti duhet të fitosh, pavarësisht se Egnatia këtë sezon është e fortë për të gjitha ekipet. Unë mendoj që Vllaznia e ka kontigjentin e duhur për të shkuar deri në fund të Kupës. Më vjen keq që nuk i menaxhuan mirë forcat e futbollistëve në kampionat dhe Kupë. Drejtuesit duhet të kishin një strategji.


-Një fitore e mundshme nga Vllaznia sot mund të jetë vendimtare për ndeshjen e kthimit?

Patjetër që, një fitore sot është një hap i sigurtë për një ndeshje kthimi, që besoj se mund të menaxhohet më lehtë, sepse trysnia bie mbi Egnatian.


-E fundit Patushi, si e shihni Vllazninë, do mund ta arrijë Europën apo jo? Nëse po nga kampionati apo nga Kupa dhe a mund të jetë ekipi kuqeblu për të tretin vit me rradhë fitues i Kupës së Shqipërisë?

Për si ka ardhur kampionati, unë mendoj që mundësia më e mirë është Kupa. Megjithatë, më mirë do e shikojmë javë pas jave dhe pastaj mund të flasim.
Maringlen ZHIVANI