Simone Inzagi është munduar që të hapë një polemikë një ditë para euroderbit të Interit të tij me Milanin në Ligën e Kampioneve. Me sa duket, trajneri është i pakënaqur që UEFA ka caktuar një gjyqtar francez për sfidën në fjalë.
Klement Turpe është ai i cili është caktuar për këtë sfidë dhe teknikut të Interit nuk i pëlqen ky fakt pasi ka kujtuar se në radhët e kuqezinjve janë 4 futbollistë francezë. Për këtë çështje janë ngacmuar në konferencë për shtyp edhe Stefano Pioli me Sandro Tonali.
“Nuk replikoj. Nuk më pëlqen që të krijoj debat”, tha Pioli duke mos u bërë pjesë e luftës mediatike në distancë. Por kështu nuk e mendonte Tonali, i cili ka thumbuar me humor duke parë nga trajneri i tij.
“Duhet të gjejmë një gjyqtar pa kombësi”, tha mesfushori, duke u tallur kësisoj me pretendimet e Inzagit.