Partizani barazoi sot me Kukësin me rezultatin 1-1, ndeshje e vlefshme për javën e pestë të Superiores. Edmond Dosti ka reaguar menjëherë pas takimit duke i bërë thirrje drejtuesve për të shkarkuar Ilir Dajën.

Ai sponsorizon Shpëtim Duron në krye të pankinës së kuqe pikërisht në këtë moment delikat që po kalojnë 16-herë kampionët e Shqipërisë.

Në fakt duket një thirrje prej tifozi më shumë se sa një ekspert që ka luajtur në fushën e blertë. Ish-sulmuesi i kuq ishte një nga ata që e mbështeste Dajën për punën e tij të mrekullueshme, veçanërisht në sezonin e shkuar që arriti të çonte një grup të limituar deri në fund për titullin kampion.

Megjithatë kjo duket se është harruar dhe në një ndeshje para derbit, tentohet që të rëndohet akoma më shumë situata për të futur në presion të thellë lojtarët e Partizanit.

“5 ndeshje, 1 humbje, 4 barazime. Tani është koha për ndryshim në të mirë të Partizanit. I dashur president Demi dhe drejtori Rama”, shkruan ai në rrjetet sociale./newsport/