Atleti shkodran Izmir Smajlaj është renditur në vendin e gjashtë në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Berlin të Gjermanisë. Finalja e garës të kërcimit së gjati është zhvilluar pasditen e sotme dhe është shoqëruar me një rivalitet të fortë.

Smajlaj ka arritur të kërcejë 7.99 m dhe me të, është renditur në vendin e gjashtë në kontinent. Atleti kuqezi realizoi 3 nga 6 provat që kishte në dispozicion, për një moment ishte edhe i katërti, por podiumi mbeti një tabu për shkodranin.

Gara e Smajlajt nis me një faull, më pas kërcen 7.83 metra, 7.73 metra, faull, 7.99 metra dhe në fund mbyllet sërish me një faull.

Pikërisht kërcimi i pestë ishte më i miri për shkodranin, thuajse në limitet e rekordit të tij (8.08 metra). Ndonëse nga Smajlaj pritej diçka më shumë në këtë Europian, ai nuk arriti ta kapë kufirin e 8 metrave, ndërkohë që rezultati i finales ishte më i mirë se ai i baterive eliminatore (7.71 metra), dy ditë më parë.

Medaljen e artë në këtë garë e fitoi greku Miltiadis Tentoglou me 8.25 metra, ndërkohë që të gjithë rivalët që u renditën sipër shkodranit kërcyen mbi 8 metra, gjë të cilën Smajlaj nuk arriti ta realizojë.

Kështu, pa medalje dhe me një vend të gjashtë mbyllet gara e Izmir Smajlaj në këtë Europian, një rezultat i mirë për kampionin e Europës së sallave të mbyllura një vit më parë. Ndërkohë, më 10 gusht do të garojë në bateritë eliminatore të garës së 3000 metrave me pengesa atletja Luiza Gega.