Opinion nga Roland ÇOMO
Të jesh lojtar i mirë nuk do të thotë që të njëjtën gjë të bësh edhe si trajner. Vllaznia e Shkodrës nuk ka kohë që një trajner të vijë dhe të thotë po testoj vehten time. Eksperimentet dhe të mësuarit e trajnerit mund t’i bëjë te ndonjë skuadër që noton nga fundi i renditjes por jo tek Vllaznia. Lojtarët që përmenden këtu Sukaj etj, Rudi Vata jo nuk i mbajti dot por i largoi vetë nga skuadra. Pra gabimi i parë filloi te largimi i titullarëve dhe prekja e boshtit të ekipit.
Kjo gjë nuk njihet nga asnjë filozofi e trajnimit. Përkundrazi, bëhen përforcime, por boshti nuk preket. Gabimi i dytë është tendenca për të sjellë te Vllaznia lojtarë anonimë duke futur në listën e tij të largimeve pothuajse të gjithë lojtarët që ishin. Këto veprime flasin më shumë se kaq. Gabimi i tretë ishte mosvendosja e harmonisë në grup e kjo ishte pjesë e arrogancës së tij dhe kjo shfaqet edhe në komunikimin sidomos me mediat lokale ndaj të cilëve mbolli vrer. Gjatë kohës së drejtimit të tij, Vllaznia ka bërë lojërat më të dobëta në historinë e saj dhe normal që ato u reflektuan me rezultate. Gabimet vazhduan duke fyer kolegët e tij tek Akademia Vllaznia ku ka deklaruar se do t’u mësonte sportistëve të rinj që të hidhnin dhe anësoren dhe se nga kjo Akademi vijnë lojtarë të papërgatitur, ndërkohë që Akademia Vllaznia ka vite që del kampion me ekipet zinxhir dhe prodhon përditë talente që i shërbejnë ekipit të parë dhe nuk i zbuloi ai, siç pretendon me një vëzhgim të dy apo tre ndeshjeve. Kur erdhi Vata në fillim, deklaroi që me këtë ekip shkoj larg dhe kur e pa se mbeti në rrugë, filloi me justifikimin se nuk e mbështet Bashkia, e vazhdoi me gjykimet. Ai akuzon gjithkënd dhe gjithçka që nuk bëhet ose del siç thotë ai. Mbron në mënyrë të paskrupullt merkaton e janarit që u pa qartë se erdhën lojtarë të dështuar, shumë më të dobët se niveli jonë dhe tentoi të mbrohet me justifikimin “desha lojtarë të tjerë” që nuk është aspak e vërtetë. Kur e pyesnin për rezultatet e dobëta tregonte skandencën e kontratës që normal do ta ketë përpiluar ndonjë “jurist leshko” që ka harruar t’i shkruajë një klauzolë ku të thuhet se trajneri shkarkohet për rezultate të dobëta. Kur e pyesin Vatën nëse do të qëndrojë te Vllaznia edhe sezonin tjetër, përgjigjet duke thënë se “mua s’më shkon ndër mend t’i lutem. Po të duan të më thërrasin”. Shihet qartë që ja ka qejfi dhe tani që po i vjen fundi asaj kontrate, përdor ndonjë “tellall” të tij në media (nuk ka lidhje me përpilusin e artikullit- të mos keqkuptohet) apo përdor ura dhe forma të tjera që t’i dalë emri në gazeta si fitimtar. Shkodra e provoi Rudi Vatën dhe ai tregoi se nuk vlen si trajner. Nëse Kryetari Bashkisë Lorenc Luka do t’ i rinovojë kontratën këtij menaxher-trajneri, do të firmoste dështimin e Vllaznisë sepse me këtë trajner edhe nëse vijnë lojtarët e përfolur, të jeni të bindur se ekipi do të jetë i përçarë dhe do të përsëritet e njëjta histori pasi ky trajner nuk i do lojtarët shkodranë por ka dëshirë të sjellë “dumbot” e tij. Vllaznisë uroj t’i kthehen lojtarët që i luajnë jashtë por edhe në superligë dhe patjetër do të jetë kampion. Por jo me këtë trajner.