Fabrizio Corona, personi që po zbulon dita-ditës emrat e futbollistëve që kanë vendosur baste të paligjshme në platforma ilegale, ka rrëfyer edhe 3 emra të tjerë. Bëhet fjalë për Stephan El Shaarawy (Roma), Federico Gatti (Juventus) dhe Nicolo Casale (Lazio).

Corona bëri rrëfimin gjatë emisionit të njohur satirik italian “Striscia la notizia”, në momentin që gazetari i dorëzoi “Tapiro d’oro” (një trofe, që quhet tapiri i artë). Video do të publikohet sot në mbrëmje, në emisionin e radhës, por mediat kanë bërë publik emrat e futbollistëve.

Në këtë emision do të publikohet edhe një video e filmuar, kur lojtarët flasin për bastet ndërkohë që xhonglojnë topin në stërvitje.

Pra, problemi i basteve që ka përfshirë mjaft futbollistë të kampionatit italian, po përhapet gjithnjë e më shumë, duke u kthyer në një skandal./telesport/