Java e 16-të e Kategorisë Superiore rezervoi mjaft surpriza, ndërkohë që “Panorama Sport” iu servir notat e skuadrave dhe formacionin më të mirë dhe më të dobët të kësaj jave:
FORMACIONI ME I MIRE:
FORMACIONI ME I DOBET:
Notat per cdo skuader:
VLLAZNIA 8 – Mposhti Partizanin në transfertë dhe tregoi forcën reale që ka për të pretenduar titullin këtë sezon. Fitorja me përmbysje ia shtoi edhe më shumë vlerat skuadrës së Mirel Josës, që dominoi në pjesën e parë dhe pasi pësoi një gol në të dytën, arriti të godiste “demat” me Fjoart Jonuzin dhe Mehdi Çobën afër fundit. Katër pikë larg kreut nuk janë shumë, por tani kuqeblutë duhet të kenë vazhdimësi.
TIRANA 8 – Fitore karakteri në Laç! Ndëshkohet që në fillim pas një gabimi amatoresk, por në vijimin e lojës gjen forca për të përmbysur kurbinasit. Bruno Lulaj dërgoi bardheblutë në dhomat e zhveshjes me barazimin 1-1, ndërsa perla e Florent Hasanit iu dha fitoren. Kanë rikuperuar tri pikë dhe tashmë janë vetëm -1 nga Partizani kryesues.
TEUTA 7 – Durrsakët e zgjidhin më së miri ndeshjen ndaj Kastriotit, me një Lorenco Vila në superformë, që jo vetëm shënon, por jep edhe asistin për golin e Aldrit Oshafit. Një triumf shumë i rëndësishëm që e largon nga vendi i fundit skuadrën e Edi Martinit.
ERZENI 5.5 – Shijakasit nuk thyhen dhe këtë e konfirmuan ndaj Egnatias. Goli që pësuan u rikuperua me Sadikin pas një goditjeje këndi. Nuk u dorëzuan dhe me pak kujdes mund të dilnin edhe me tri pikë, edhe pse u mungonte lojtari më në formë, Amir Kahrimanoviç.
BYLISI 5.5 – Goli është bërë si makth për ballshiotët dhe pavarësisht se shkojnë deri te porta me aksion të rrjedhshme, nuk shënojnë dot. Megjithatë, edhe një pikë ndaj Kukësit në këtë situatë nuk është keq.
KUKËSI 5 – Një barazim në Ballsh është i pranueshëm, por kur shikon se skuadra zbret në vendin e fundit pas kësaj pike, gjërat bëhen alarmante. Verilindorët janë futur ethshëm në luftë për mbijetesë.
EGNATIA 5 – Skuadra e Shpëtim Duros bëri lojën e zakonshme ndaj Erzenit, por u ndëshkua në momentin më të mirë nga një goditje standarde. Ekipi del lirshëm në sulm dhe funksionon, ndërsa edhe debutimi i sulmuesit Rafael Daumena, mund të quhet pozitiv.
KASTRIOTI 4 – Në Durrës u ndëshkua nga dy episode që ndikuan direkt në rezultat. Nuk mund të thuash se luajti keq, madje e tentoi disa herë portën, veçanërisht mesfushori Xhuljo Mehmeti. Kjo ishte humbja e dytë radhazi dhe krutanët janë futur tashmë nën presionin e zonës së ftohtë, për më tepër që javën e ardhshme presin Partizanin.
LAÇI 4 – E nisi në mënyrën më të mirë pas golit të Vasil Shkurtajt dhe më pas kishte mundësi të arta për të dyfishuar apo trefishuar rezultatin, por nuk diti të “vriste” takimin. Kjo bëri që të goditej dy herë nga Tirana, duke mos marrë dot asnjë pikë të paktën.
PARTIZANI 4 – Humbje e merituar ndaj Vllaznisë. Pas pjesës së parë të dobët, në të dytën shënon, por nuk është në gjendje të menaxhojë avantazhin. Nga 1-0 dhe në fund të dalësh pa pikë, tregon për një skuadër që ka luhatje të mëdha dhe mbi të gjitha pëson shumë gola.