Te Vllaznia ka një çështje “Aralica”. Realisht, si sulmuesit kroat, por edhe klubit po u soset durimi disi, pasi akoma nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për ndërprerjen e kontratës.

Në fakt, duket se midis palëve ka nisur një “luftë e ftohtë”, me Aralicën që nuk ka përtypur mirë lënien në stol pjesën e parë të sezonit, ku edhe në të kaluarën ka shfaqur disa herë nervozizëm në momentin që është zëvendësuar.

Në një situatë të tillë mbetet ende e hapur mundësia që palët të gjejnë zgjidhjen më të mirë për ndërprerjen e bashkëpunimit, teksa largimi i tij tashmë nuk do të sillte asnjë problem për sulmin, duke qenë se alternativa të tjera janë Kaina dhe Çoba, me Bekim Balajn që kuptohet që llogaritet si titullar.

Me interes pritet vendimi që do të merret, por për aq kohë sa merkatoja e janarit është ende e hapur, mundësia më e madhe është që sulmuesi kroat të largohet. Ante Aralica erdhi te Vllaznia si një futbollist që do t’i garantonte golat në kampionat, por ka qenë shumë larg pritshmërive, duke shënuar vetëm 11-gola në 43-ndeshje në total me kuqeblutë.
Maringlen ZHIVANI