Marcelo Troisin e bindin afrimet e janarit, por nuk e quan të mbyllur merkaton. Braziliani është në pritje edhe të dyja afrimeve të fundit, që skuadra të jetë e blinduar në çdo anë.
Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri vlerëson punën e bërë nga ekipi deri më tani dhe paralajmëron se do të kthehen më të fortë në pjesën e dytë të sezonit.
Edhe pse zhgënjimi për dy ndeshjet e fundit të 2022-shit është i madh, tekniku është i bindur që në fund të këtij rrugëtimi do të ngjiteni në elitë.
Si po ecën faza përgatitore e Flamurtarit?
Jam i kënaqur me skuadrën. Ka bërë një punë të mirë në fazën përgatitore. Kam marrë reagime pozitive dhe lojtarët janë në unison me pritshmëritë tona. Të gjithë i dinë detyrat e tyre, tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ecim përpara.
E para miqësore për këtë vit u mbyll me fitore. I kënaqur?
Po bëjmë përgatitjet për kampionat. Patëm shumë ndryshime në këtë ndeshje. Kishim shumë lojtarë në fushë për t’i parë. Rëndësi ka që kjo skuadër po rritet. Rezultati nuk është i rëndësishëm në këto miqësore. Ekipi është i mirë dhe lojtarët janë në pozicionet e tyre, të cilat ne i dimë. Ka ende shumë ditë para që të kemi edhe rikuperime të lojtarëve të dëmtuar. Do të punojmë për t’u përgatitur maksimalisht.
I keni harruar dy ndeshjet e fundit të vitit 2022?
Pavarësisht se morëm disa rezultate zhgënjyese ndaj Tomorit dhe Besëlidhjes, unë besoj shumë te grupi që kam në dispozicion. Jam i bindur që bashkë do të bëjmë gjëra të mëdha.
Si e parashikoni fazën e dytë?
Ne do të vazhdojmë të bëjmë përgatitje të mira si gjithmonë. Do të luajmë fort, madje më fort se fazën e parë pasi kampionati vjen e bëhet më i vështirë. Ne i njohim këto, por do t’ia dalim. Flamurtari ka marrë lojtarë si Mensah, Beqja, Uanderson dhe Rroki.
Jeni i kënaqur nga merkatoja?
Jam i kënaqur me lojtarët që kanë ardhur dhe i ka sjellë klubi. Janë lojtarë futbollistë të mirë. Ata po punojnë për t’u përshtatur me ekipin, me pjesën tjetër të grupit të lojtarëve. Afrimet e reja po shikojnë se si punojmë ne, çfarë mentaliteti kemi për lojën. Mendojmë se do të kemi ekipin që duam në rinisjen e kampionatit.
Do të kemi të tjera afrime te Flamurtari?
Do të shikojmë në vijim. Jemi në merkato dhe gjithçka mbetet e hapur. Besoj se do të afrojmë një ose dy lojtarë.
A është i arritshëm misioni “Superiore”?
Ne e dimë këtë. Sigurisht që pritshmëritë janë të mëdha për ne. Unë jam i sigurt se do të bëjmë gjithçka për ta rikthyer Flamurtarin në Superiore.